“Shfrytëzojeni momentin, ndryshojeni Kushtetutën”, paralajmëron euroambasadori Rokas

“Maqedonia e Veriut të shfrytëzojë rastin dhe të përfitojë nga momenti ku Komisioni Evropian favorizon dhe angazhohet për zgjerimin e Unionit Evropian”, theksoi euroambasadori Mihalis Rokas në seancën e përbashkët të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane dhe Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, në agjendën e të cilit ishte Raporti i Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2024.

Rokas me këtë rast i bëri thirrje gjithë faktorit politik në vend të kontribuojnë në vazhdimësi në forcimin e rolit të Parlamentit si forum për dialog për të përshpejtuar reformat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Dëshiroj t’ju inkurajoj të përfitoni nga momenti aktual i favorizimit drejt zgjerimit. Ka një vrull të vërtetë, ka përkushtim të vërtetë. Nga ana jonë, ne jemi të përkushtuar dhe të gatshëm t’ju ndihmojmë të hapni rrugën drejt Bashkimit Evropian. Siç e keni dëshmuar të gjithë në raportet e fundit nga Brukseli, ka interes të madh dhe vullnet të mirë ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut për të hapur kapitullin e parë të negociatave. Presidenti i ri i Këshillit, Komisioneri i ri për Zgjerim dhe nënkryetari i ri i Komisionit Kallas kanë shprehur të gjithë mbështetjen e tyre për rrugën tuaj drejt BE-së”, tha ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas.

Megjithatë, Rokas numëroi edhe kritikat, zgjedhjet dhe emërimet në institucione duhet të bëhen në kohë dhe të bazohen në merita, si dhe që përdorimi i flamurit evropian duhet të kufizohet vetëm në rastet kur ligjet harmonizohen me legjislacionin e BE-së.

“Parlamenti duhet të reduktojë përdorimin e procedurave urgjente dhe të përshpejtojë reformat për integrim, duke përfshirë ndryshimet kushtetuese”, shtoi ai. Duke iu referuar raportit të KE-së, Rokas vuri në dukje se Parlamenti nuk arriti të sigurojë shumicën e dy të tretave për ndryshimet kushtetuese dhe se polarizimi politik ka ndikuar në proceset ligjvënëse.

“Përbërja e re parlamentare duhet të përshpejtojë punën e saj dhe të vazhdojë me reformat që janë të nevojshme për procesin e integrimit evropian të vendit, përfshirë ndryshimet kushtetuese. Parlamenti duhet të miratojë një axhendë që do të reduktojë përdorimin e procedurave të përmbledhura ose urgjente legjislative dhe t’i kushtojë vëmendje përdorimit të duhur të flamurit evropian, një procedurë që ka qenë e dukshme në të kaluarën. Përdorimi i flamurit europian në procedura duhet të lidhet vetëm me ligjet që synojnë të harmonizohen me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe të bazohen në konsultime gjithëpërfshirëse, përfshirë konsultimet me Komisionin Europian”, tha Rokas.

Sa i përket procesit të reformave që shpijnë drejtë BE-së, edhe opozita u shpreh e gatshme për bashkëpunim. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili njëherit është edhe kryetar i këshillit kombëtar parlamentar për integrimin evropian u shpreh se se përshpejtimi i reformave në fushat kyçe është i nevojshëm për përparimin e vendit dhe se të gjithë duhet të kontribuojnë në hapjen e klasterit të parë. Filipçe bëri të ditur se në periudhën e ardhshme do të ketë seanca më të shpeshta të këtij organi parlamentar.“Ne në një farë mënyre do ta kontrollojmë dhe mbështesim Qeverinë në realizimin e detyrave që na presin, në radhë të parë në fushën e agjendës së reformës. Është mirë të ruhet konsensusi për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.“Besoj se përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike dhe ekonomike të pranishëm sot do të kontribuojnë në punë, do ta mbështesin Qeverinë në realizimin e këtij procesi në mënyrë që procesi të përshpejtohet realisht dhe se në këtë përbërje të Kuvendit dhe në këtë mandat, klasteri i parë do të hapet”, tha Filipçe, duke shtuar se duke punuar së bashku në këtë nivel, opinioni do të informohet më tej se si do të realizohen hapat në agjendën e reformave.

Nga ana tjetër, kryetarja e Partisë Liberal-Demokratike, Monika Zajkova vlerëson se çdo vit analizojmë raportet dhe flasim, por në fusha të caktuara nuk ka përparim, nuk ka zbatim, dhe megjithëse Maqedonia ka qenë vend kandidat për anëtarësim për 20 vjet, deri më tani duhet të kishim harmonizim të 80% me legjislacionin e BE-së, por skriningu sipas Zajkovës tregon se harmonizimi nuk është as në gjysmë të rrugës.

“Ka kaluar një vit nga marrja e raporteve nga procesi i shqyrtimit. Dhe ku jemi? Nuk duhet thjesht të ulemi të analizojmë apo të fajësojmë veten dhe të kërkojmë fajtorë, por duhet të krijojmë një Plan Kombëtar për zbatimin e asaj që shënohet në raportet e shqyrtimit, por edhe në lidhje me rekomandimet e dhëna në raporte”, theksoi Monika Zajkova, kryetare e PLD-së. Ndërkohë zëvendësministrja për çështje evropiane, Viktorija Trajkov, theksoi se nga Komisioni Evropian kemi marrë një pasqyrë objektive të gatishmërisë së vendit për të arritur rregullat dhe standardet evropiane, si dhe çfarë është bërë gjatë vitit të kaluar.

Mes prioriteteve të agjendës reformuese u përmendën edhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit, por edhe revidimi i ndryshimeve në Kodin Penal të bëra në shtator të vitit 2023, me qëllim të harmonizimit me legjislacionin e BE-së. (koha.mk)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu