Shfuqizimi i balancuesit, Ziberi: Vendimi është juridik, arsyetimi është tërësisht politik

“Vendimi është juridik, arsyetimi është tërësisht politik”, deklaroi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Kështu e vlerëson Avokati i Popullit Naser Ziberi, vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese me të cilin u shfuqizua balancuesi, apo instrumenti që mbante llogari për përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën publike, e për të cilin, Avokati i Popullit është i obliguar me Kushtetutë që të përcjellë realizimin e përfaqësimit të komuniteteve.

“Fatkeqësisht, organi dhe institucioni që duhet të mbrojë rendin kushtetues, dje ka shkelur rëndë mbi rendin kushtetues. Ka shkelur mbi vlerat themelore të rendit kushtetues, edhe atë duke i cenuar tre vlera themelore të rendit kushtetuese, lirinë dhe drejtën e deklarimit të përkatësisë nacionale, ka cenuar rëndë të drejtën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe ka cenuar të drejtat themelore të garantuara me kushtetutë dhe të njohura me të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Sipas Ziberit, zgjidhja nga kjo situatë do të jetë shumë e rëndë, sidomos pasi me vendimin janë dhënë udhëzime që çfarëdo zgjidhje ligjore duhet t’i përmbahet vendimit të djeshëm, të cilat, mes tjerash parashohin që të mos kërkohet përkatësia e kandidatëve gjatë punësimit dhe të mos mbahet evidencë për të njëjtën.

“Kjo është e pamundur. Në qoftë se në projektin e ri ligjor nuk theksohet se gjatë punësimit do të mbahet llogari për përfaqësimin etnik, nuk ka instrument i cili mund ta realizojë këtë të drejtë. Të drejtë, të cilën e garanton Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Ziberi, thekson se duhet një aktivitet serioz i të gjithë faktorëve politik edhe atyre shqiptar, por edhe atyre maqedonas që të gjendet një konsensus më i gjerë në mënyrë që kjo punë të riparohet, përndryshe pasojat do të jetë shumë të dëmshme për të gjitha komunitetet joshumicë.

“Vendimi thash se do të lë pasoja të parikuperueshme dhe do të jetë sfidë shumë e rëndë e ligjvënësit që ta sanojë situatën e krijuar. Por, nuk është e pashpresë e gjithë kjo situatë sepse duke hartuar dhe përpiluar ligj i cili do të iu referohet këtyre vlerave të rendit kushtetues të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën e vendit, patjetër që do të mund të gjendet instrument i cili do të sjellë deri tek aplikimi dhe realizimi i këtyre përcaktimeve kushtetuese”, u shpreh Naser Ziberi, Avokat i Popullit. /Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu