SHGM: Të hiqet paraburgimi për Bozhinovskin, i cili është në grevë urie

Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë dhe Rikardo Gutierez, sekretar i përgjithshëm i Federatës evropiane të gazetarëve, sot kërkoi urgjentisht të hiqet paraburgimi për gazetarin Zoran Bozhinovskin, i cili nga 14 shtatori është në grevë urie në burgun hetues në Shuto Orizarë për shkak, siç pohon, vazhdimin e paarsyeshëm të paraburgimit të tij dhe zvarritjen e procesit gjyqësor.

Siç informoi sot në konferencën për shtyp, kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, Bozhinovski me shkrim e ka njoftuar drejtorinë e burgut për vendimin e tij dhe ka kërkuar ta njoftojnë avokatin e tij dhe avokatin e popullit, që deri sot nuk është bërë.

Nga SHGM-ja shprehin shqetësim për gjendjen shëndetësore të Bozhinovskit, i cili në shtatë ditët e fundit ka refuzuar të pranojë ushqim dhe ujë në burg dhe si pasojë e kësaj dy herë në ditë ka marrë infuzion.

Në konferencë për shtyp u ftua gjykatësja që e zhvillon rastin që menjëherë ta ndërpresë paraburgimin, në të kundërtën personalisht do ta konsiderojnë si përgjegjëse për pasojat eventuale për shëndetin dhe jetën e Bozhinovskit. I bënë thirrje edhe Avokatit të Popullit që ta vizitojë Bozhinovskin në burg dhe t’i paralajmërojë në kohë institucionet për pasojat nëse nuk veprohet në mënyrë të përshtatshme me situatën.

Gutierez, sekretar i përgjithshëm i Federatës evropiane të gazetarëve, shprehu zhgënjim sepse ende nuk ka asnjë përgjigje të kërkesës së tij zyrtare të dërguar deri te Gjykata themelore 1 – Shkup për ta vizituar Bozhinovskin në burg. Theksoi se si asociacion profesional e ndjekin situatën me mediat dhe gazetarët në të gjitha 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Federata evropiane e gazetarëve, potencon, është një prej institucioneve federale i cili i vëzhgon rastet kur bëhet fjalë për paraburgim të gazetarëve dhe shkelje të lirisë së shprehjes. Paralajmëroi se këtë rast me Bozhinovskin dje e ka paraqitur deri te Platforma e Këshillit të Evropës, e cila është formuar që nga prilli i vitit 2015 për regjistrimin e rasteve për shkelje të të drejtave të gazetarëve. Deri më tani, në rastin e Maqedonisë ka paraqitur tetë raste për shkelje serioze të të drejtave të gazetarëve, nga të cilat tre për paraburgim dhe për arrestime, katër për sulm fizik dhe sulm të integritetit të gazetarëve dhe një rast për maltretim.

Gutierez theksoi se Republika e Maqedonisë më 13 prill të vitit 2016 ka nënshkruar rekomandim të caktuar për mbrojtje të gazetarëve në kuadër të Këshillit të Evropës.

“Vlerësimi ynë si Federatë evropiane të gazetarëve është se praktika në RM nuk është në pajtim me praktikën në Këshillin e Evropës dhe Konventën evropiane për të drejtat e njeriut kur bëhet fjalë për mbrojtje të të drejtave të gazetarëve”, theksoi sekretari i përgjithshëm i Federatës evropiane të gazetarëve


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu