Ministria e Drejtësisë nuk ka vendosur nëse do të iniciojë ndryshime në Kodin Zgjedhor për ndarjen e votuesve në gjashtë njësitë zgjedhore. Numri një i këtij dikasteri, Valdet Xhaferi, konfirmoi se kanë pranuar njoftimin e KSHZ-së, se njësia zgjedhore numër 6 numëron më shumë votues nga sa është e lejuar me ligj. Ai nuk dha sqarime të tjera, por premtoi shqyrtimin e çështjes.
“Po KSHZ-ja deri te Ministria e Drejtësisë ka dërguar listën zgjedhore. Ditët në vijim, Ministria e Drejtësisë do të njoftojë opinionin për hapat e mëtejshëm që do t’i merr në lidhje me këtë çështje”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi.
Megjithatë ky institucion për këto shkelje ishte i njoftuar edhe muaj më parë, para zgjedhjeve të caktuara për më 5 qershor, por as atëherë në Kuvend nuk dërgoi nismë për ndryshime. Partitë politike gjatë asaj kohe thanë se kjo çështje është pjesë e bisedimeve të grupeve të punës dhe më vonë heshtën. Ato përsëri premtojnë shqyrtim të problemit.
Nga VMRO-DPMNE thanë se deri tani nuk kanë asnjë qëndrim por do t’i shqyrtojnë njoftimet KSHZ-së.
“Nuk kemi asgjë konkrete sepse akoma nuk e kemi shqyrtuar si çështje. Do t’i shqyrtojmë njoftimet dhe sugjerimet e KSHZ-së dhe do të ndërmarrim ndonjë veprim”, thanë nga VMRO-DPMNE-ja.
Megjithatë nuk precizuan nëse besojnë se problemi do të zgjidhet para zgjedhjeve të dhjetorit. Një përgjigje të ngjashme morëm edhe nga LSDM-ja.
“Gjatë ditës së djeshme nga KSHZ-ja kanë njoftuar parlamentin dhe grupet e deputetëve, se nuk kemi parim ligjor në njësitë zgjedhore. Presim që gjatë ditëve të ardhshme kjo çështje të zgjidhet”, tha Petre Shilegov, LSDM.
Qëndrim për këtë kërkuam edhe nga BDI-ja, megjithatë nuk morëm përgjigje as nga strukturat e partisë dhe as nga grupi parlamentar.
Nga PDSH-ja thonë se janë kundër kësaj pabarazie por se nuk kanë deputetë të mjaftueshëm për ta parandaluar atë.
“BDI bashkë me VMRO-në i kanë numrat në parlament dhe paralajmëruan se do të bëjnë pikërisht atë që e bëjnë para çdo cikli zgjedhjesh, do të bartin 1000 votues nga njësia 6 zgjedhore në njësinë e 5 zgjedhore. Kurse problemi real i pabarazisë së votës dhe humbja e deputeteve shtese për shqiptarët do të vazhdojë edhe më tej”, deklaruan nga PDSH.
Në njësinë zgjedhore numër 6 numri i votuesve është më i lartë nga kufiri i lejuar me ligj kurse vazhdimisht është kritikuar fakti se ky disporporcion ndikon në uljen e numrit të deputetëve shqiptarë.