U largua në SHBA sapo kishte nisur mjekësinë në SHBA. Atje nisi sërish studimet, duke zgjedhur neurokirurgjinë. Emal Lesha është një ndër neurokirurgët më të mirë dhe i pari shkencëtar shqiptar në Universitetin e Harvardit. Ai dha një intervistë për “ABC-ja e mëngjesit”, ku rrëfeu detaje se si nisi gjithçka.
“Mbarova gjimnazin në “Petro Nini Luarasi”. Fillova mjekësinë në Tiranë dhe disa muaj më pas lëvizëm në Boston. Në Amerikë funksionon ndryshe mjekësia, duhej të bëja kolegj dhe bëra biologjinë dhe më pas nisa mjekësinë. Mendoj se ishte një proces që filloi ndoshta si budallallëk që do të bëhem neurokirurg. Por kur lëviza në Boston pata pak më shumë mundësi për të ndjekur njerëz të ndryshëm, ndoqa një neurokirurg dhe më pëlqeu shumë puna e tij. E ndava mendjen që në fillim se do të merresha me atë. Thjesht u fokusova dhe mendoj se deri në një farë pike më ndihmoi që të isha pak më i përgatitur gjatë shkollës.”, u shpreh Emali.
I pyetur për punën që bën, ai shtoi:
“Ajo që po bëj më pëlqen, po bëj një ndryshim te pacientët e mi dhe është një nga gjërat që më shtyn të mos mendoj orët e gjata. Në asnjë farë pike nuk e kam dyshuar vendimin që bëra atëherë.”
Ai u ndal edhe te puna në laboratorin e Harvardit. “Në vitin e parë në laborator ishte komplet jashtë shkollës dhe punës“.
Ai tregoi gjithashtu se si arritën që të hiqnin një virus të zbuluar vite më parë në gjenomin e derrit. Frika ishte se nëse do të mund të kryhej ndonjë transplant i një veshke të derrit te njeriu, që virusi mund të transmetohej tek njeriu. Kjo arritje u publikua edhe në një revistë shkencore.
“Thjesht ideja që të bësh diçka të tillë ishte thjesht çmenduri. Ishte komplet gjenetike. Hapi i parë që diçka e tillë edhe të mendohej nga njerëzit ishte ky virus duke qenë se e kishin provuar gati 40 vite më përpara por atëherë ishte periudha e HIV dhe kur u gjet virusi te derri, kompanitë farmaceutike thanë nuk bëhet fjalë. Për t’i hapur mendjen njerëzve te fusha duhet të fillonim te ky virusi. Nje virus që ka mundësinë të lëvizë na një qelizë në një tjetër. Dhe frika nëse bëhej një transplant veshke nga derri në një njeri, virusi mund të kalonte dhe ndoshta të krijonte një epidemi tjetër.”, shtoi shqiptari.