Shkollat e dëmtuara nga tërmetet rinisin mësimin (VIDEO)

Sot është dita e parë e shkollës pas një jave pauze në shkollat fillore PetarZdravkovski- Penko dhe Jashar Bej Shkupi, objekte këto që ishin ndër më të dëmtuarat nga tërmetet që goditën Shkupin,

Në videon më posthë mund të shihni shkollën fillore Petar Zdravkovski-Penko menjëherë pas tërmeteve, si dhe pamjet se si duket sot pas riparimit të dëmeve.
Drejtori i kësaj shkolle, Enis Memedi, tha se shtatë mësojtore javën e kaluar kanë qenë të mbyllura nga ana e Institutit Sizmologjik, megjithatë është punuar që nga dita e enjte dhe punimet kanë përfunduar dje, kështu që sipas tij, ky objekt prej sot është vënë në funksion dhe nxënësit u janë kthyer bankave shkollore.

“Sot kanë qenë të gjithë nxënësit në shkollë, përveç atyre që kanë qenë të sëmurë. Mësimdhënësit kanë qenë të gjithë në punë dhe sot ka funksionu shkolla në mënyrë normalë. Prej institutit sizmologjik kemi pas ndalesa vetëm për shkak të çarjes së mureve, statika është në rregull, prej institutit e kanë konfirmu, se statika e shkollës është në rregull, nuk ka asnjë problem”, tha drejtori i shkollës fillore Petar Zdravkovski-Penko, Enis Memedi.

Prindërit e filloristëve thonë se javën e kaluar nuk i kanë sjellë fëmijët e tyre në shkollë për shkak të frikës që kanë pasur nga tërmeti fëmijët por edhe vetë prindërit.

“Sot është dita e parë që i kemi pru në shkollë, na kanë thënë se nuk është rrezik, kemi bisedu edhe me prindërit e tjerë dhe kemi marrë vendimin edhe nga ana e mësueses që sot mi pru në shkollë…. Jo nuk kanë mbajt as një orë, edhe fëmijët i kemi pas të shqetësum, sidomos edhe ne prindërit. Mirëpo masi kanë ardh edhe shokët tjerë dhe fëmijët tjerë i kemi pru në shkollë, besoj se nuk ka me pas problem”, thotë një prind.

“Bënë një pauzë dhe fëmijët u qetësuan pak dhe mendoj se sot janë më stabil, më të qetë, dhe më të përgatitur për mësim. Edhe pse javën e kaluar ishte ashtu me strese, frika dhe gjëra të tilla. Secili prind është i shqetësuar për fëmijët e vet”, thotë një prind tjetër.

Ndërkaq drejtori i Shkollës Fillore “Jashar Bej Shkupi ” tha se edhe në shkollën që drejton ai, sot janë rikthyer nxënësit pas një jave pauzë. Ai tha se një pjesë e shkollës, është mbyllur dhe nuk lejohet të përdoret, sipas tij kjo pjesë nuk mund të riparohet dhe e njëjta duhet të rrënohet.

“Siç e keni inçizu, komplet pjesa e vjetër e shkollës duhet të rrënohet, pasi nuk ka mundësi të riparohet, gjegjësisht pesë mësojtore nuk mund të përdoren për realizimin e mësimit, kjo është si konstatim i institutit të ingjinerisë së tërmeteve dhe ingjinierisë së sizmologjisë. Për shkak se pjesa e vjetër e shkollës është ndërtuar në vitin 1956, nuk ka shtylla kurse kulmin e shkollës e ka të ndërtuar prej betonit, kështuqë rrezikohet çdo moment të rrënohet”, tha drejtori i Shkollës fillore “Jashar Bej Shkupi”, Muzafer Rexhepi.
Javën e kaluar objektet e shkollave të Shkupit janë vizituar nga Instituti për Inxhinieri Tërmetesh dhe Sizmologji-Shkup (IITSSH), me propozim të Komitetit Drejtues për menaxhim me kriza, të cilët në disa shkolla për shkak të dëmeve nga tërmetet kanë ndaluar shfrytëzimin e ndonjë pjese të objektit ose disa mësojtoreve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu