Shoferë, kujdes nga këta këmbësorë! Ja çfarë bëjnë për të fituar para nga siguracionet

Drejtues mjetesh, kini Kujdes! Në Tiranë mund të bini pre e këmbësorëve që provokojnë aksidente, për të përfituar nga siguracioni. Rastet janë konstatuar nga policia rrugore e kryeqytetit, të cilat tashmë i kanë kaluar për kompetencë seksionit të hetimit të aksidenteve.

Rrugorët kanë identifikuar dy individë të cilët janë vënë në hetim pasi dyshohet se janë përfshirë me qëllim në aksidente. Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se është identifikuar një grua rreth 50 vjeç e cila është përfshirë në aksidente të ngjashme disa herë, në rrugën “Siri Kodra”.

Një tjetër rast është konstatuar edhe pranë kryeministrisë ku një mashkull rreth të 40-tave, është shtrirë poshtë një taksie, e cila pasi lëvizi i dëmtoi gjymtyrët e poshtëm. Personi në fjalë brenda vitit, është përfshirë në 4 aksidente të tjera si këmbësor, duke hedhur dyshime mbi vërtetësinë e tyre.

Në të gjitha rastet, thonë burime nga policia, në bazë të ekspertizës autoteknike rezulton se këta persona kanë qenë vetë shkaktar të aksidenteve, ndërsa nuk dihet nëse në përfundim të hetimeve ndaj tyre do të ngrihen akuza.

Të njejtën skemë sipas burimeve nga policia e ndjek edhe një motociklist në zonën e “21 dhjetorit”, i cili është përfshirë në disa aksidente të njëpasnjëshme, raste për të cilat vijojnë hetimet dhe ekspertizat autoteknike./TCH


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu