Gjykata ushtarake izraelite shpalli fajtor ushtarin izraelit të mërkurën për vrasjen e një palestinezi të plagosur vitin e kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).
Elor Azaria (18), u shpall fjator pasi gjykatësi Kolonel Maya Heller tha se ai kishte qëlluar në kokë Abdul-Fattah Sharif, “pa qenë e nevojshme”, duke i shkaktuar vdekjen.
Gjykata hodhi poshtë argumentet nga ekipi mbrojtës i ushtarit se Sharif kishte vdekur nga plagët e marra më parë, kur u qëllua nga Azaria.
Sharif ishte plagosur dhe çarmatosur, pasi dyshohej se kishte tentuar të kryej një sulm, gjatë të cilit u vra edhe një palestinez tjetër, në qytetin Hebron të Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, marsin e kaluar. Azaria më vonë tha se ishte frikësuar se Sharif mbante një bombë.
Gjykata, megjithatë, ka konstatuar se nuk ka pasur ndonjë kërcënim për ushtarin, duke shtuar se ai ka shkelur të ashtuquajturin “rregull i angazhimit” të forcave të sigurisë izraelite, kur goditi palestinezin e plagosur.
Gjykata hodhi poshtë pjesën më të madhe të argumenteve të Azaria, dhe e përshkruan si “i paqartë”, duke përfshirë edhe pretendimet se kishte vuajtur psikologjikisht.
Incidenti kur ushtari izraelit e qëllon palestinezin e plagosur u xhirua me kamera nga një aktivist palestinez. Kjo ngjarje shkaktoi ndarje brenda qeverisë izraelite pasi ushtria mbajti qëndrimin për të ndjekur penalisht Azaria-n pavarësisht kundërshtimeve nga e djathta ekstreme e Izraelit, duke përfshirë edhe kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Pas vendimit të së mërkurës, ligjvënësi arabo-izraelit Ayman Odeh deklaroi se “pushtimi kriminal (i territoreve palestineze) ka prodhuar të tillë si Azaria”, duke shtuar se qindra incidente të ngjashme nuk janë kapur nga kamerat.
Të martën, shefi i ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot këmbënguli se Azaria nuk duhet të trajtohet nga shoqëria izraelite si “fëmija i të gjithëve”, duke theksuar se ai ishte ushtar në detyrë dhe duhej të vepronte sipas sjelljes ushtarake.
Nga ana tjetër, ministri izraelit i Arsimit, Naftali Bennett ka bërë thirrje që Azaria të falet menjëherë edhe nëse është shpallur fajtor për vrasje. Gjykata ende nuk e ka dënuar Azaria-n, i cili pritet të apelojë vendimin.