Partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, ka kërkuar mbajtjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Parlamentit të Maqedonisë, në të cilën do të duhet të shqyrtohet shpërbërja e kuvendit të Maqedonisë, njofton REL.
Me këtë veprim, sipas tyre, betonohet data e mbajtjes së zgjedhjeve më 11 dhjetor, ashtu siç arritën ujdi liderët e katër partive kryesore politike më 31 gusht, të njohur si marrëveshja e Përzhinos.
“Si pjesë e partive politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, ne deputetët jemi të obliguar të dëshmojmë se e respektojmë marrëveshjen, për të garantuar zgjidhjen e krizës dhe për t’i mundësuar jetë më të mirë qytetarëve.”
Kërkesë për shpërndarjen e Parlamentit të Maqedonisë ka dorëzuar dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Maqedonisë, parti kjo e vogël maqedonase, e cila është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë.
“Kriza politike në Maqedoni është stërzgjatur dhe po i shkatërron perspektivat dhe zhvillimin e vendit. Për këtë arsye, janë të domosdoshme zgjedhjet korrekte dhe të besueshme”, deklaroi Pavle Trajanov, nga Lidhja Demokratike, duke theksuar se paraprakisht duhet të miratohet ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ai për vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike.
Partia më e madhe maqedonase, OBRM-PDUKM, përmes një komunikate me shkrim, i bën thirrje kryetarit të parlamentit që të thirr mbledhje urgjente, që fillimisht të marrë vizë buxheti për vitin 2017, i cili ka hyrë në procedurë më herët se vitet paraprake, për shkak të zgjedhjeve në dhjetor. Menjëherë pas kësaj, kërkohet që të caktohet mbledhja për shpërbërjen e parlamentit të Maqedonisë.
Arben Halili, njohës i çështjeve ekonomike, këtë insistim të OBRM-PDUKM-së e sheh si qëllim të pushtetit që të vjelë pikë politike gjatë zgjedhjeve, duke i joshur me projekte kapitale, për të cilat, siç thotë, realisht nuk ka mundësi që të realizohen.
“Arsyeja e vetme se pse insistohet të miratohet buxheti para se të shpërbëhet parlamenti është shumë e thjeshtë. Ky buxhet, ashtu si shumë të tjerë, por veçanërisht ky buxhet, i projektuar për vitin 2017, paraqet një nga fushëbetejat për vjeljen e votave gjatë procesit zgjedhor, duke promovuar me shumë pompozitet projektet kapitale që do të duhet të miratohen në bazë të këtij buxheti, por që realisht çdo qeveri më pas do të jetë e detyruar të bëjë rishikimin e buxhetit, duke shkurtuar mjetet për projekte e parapara”, vlerëson Halili.
Ndërkohë, Shërbimi për Informim i Parlamentit të Maqedonisë ka njoftuar se “Pika për shpërndarjen e Kuvendit do të vendoset në rend dite më 17 tetor, menjëherë pas pikës për miratim të Buxhetit për vitin 2017”. /Telegrafi/