Vetëm pesë ditë pasi filloi të zbatohet masa e shportës së vitit të ri nëpër markete, është rritur edhe numri i prodhuesve, marketeve por edhe distributorëve të cilët janë kyçur në këtë masë. Numri i prodhimeve tani shënon 1068 ndërsa në ditën e parë ishin vetëm 800. Siç njoftoi zëdhënësja e qeverisë, Venera Azizi, lirimet nëpër markete fillojnë nga 10% e më tepër ndërsa për çdo keqpërdorim, inspektorati do të jetë në teren për çdo ditë.
“Janë të përfshira diku 1068 prodhime të cilat kanë shënuar rritje nga fillimi i aksionit. Filluam me 800 prodhime tani kemi arritur në 1068 prodhime. Gjithashtu është rritur edhe numri i prodhuesve dhe distributorëve të kyçur në këtë aksion. Ishin 80 prodhues dhe distributorë tani janë 95. Janë të përfshira diku 42 markete, zinxhirë të marketeve dhe markete individuale”, deklaroi Venera Azizi – Zëdhënëse e Qeverisë. /Alsat.mk