Shqipëri-Maqedoni, ja deklaratat para ndeshjes

Sonte nga ora 20:45 shënohet një fillim i ri për futbollin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, kur përfaqësueset e dy vendeve fqinje do të përballen mes veti në Shkodër, në ndeshjen e parë të eliminatoreve për kualifikim në Kampionatin Botëror ‘Rusi 2018’. Shqipëria shumë entuziaste pas rritjes që po shënon me pjesëmarrjen e parë dhe historike në një event madhor si që ishte Kampionati Evropian në Francë kërkon fitore në stadiumin e ri të Shkodrës që pritet t’i ofrojë mbështetje maksimale kombëtares ‘kuqezi’. Ndërkohë Maqedonia me 4 futbollistë shqiptarë në përbërje pretendon të shënojë një start të ri, me seleksionuesin Angellovski që kërkon të ndërtojë një përfaqësuese konkurente për ngritje të nivelit të futbollit të Maqedonisë.

“Jemi para startit të ciklit të ri kualifikues. Përballemi me një përfaqësuese e cila ishte pjesëmarrëse në Kampionatin e fundit Evropian. E gjithë kjo për neve është vetëm një motiv shtesë më tepër për të hyrë në këtë takim sa më të përgaditur dhe për të shënuar rezultat sa më të mire”, ka thënë Igor Angellovski, seleksionues i Maqedonisë.

Ndërkohë roli i favoritit i takon Shqipërisë për shumë aspekte që për momentin ‘kuqezinjtë’ i vëndojnë lartë Maqedonisë, megjithëse kur futbollistët të zbresin në fushë 90-të minutat shpesh shpërblejnë atë që do punojë me më shumë përkushtim, motiv dhe sakrificë.

“Kemi motive më të mëdha se ekipi kundërshtar për të luajtur për 3 pikëshin. E para është ambienti që po përjetojmë në skuadër, është mjaft pozitiv, fryma grupit, po ashtu edhe qyteti ku do të luajmë sonte Shkodra” , tha Ansi Agolli, kapiten i Shqipërisë.

Përballja ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë që në përbërje gjithmonë ka pasur futbollistë shqiptarë, nuk mund të kalojë pa përzierje emocionale, mirëpo kësaj radhe seleksionuesi i Maqedonisë, Angellovski jep një deklaratë shumë të fuqishme me të cilën ngre lartë futbollistët e tij shqiptarë.

“Fakt që Hasani dhe Ibraimi do të luajnë përballë vendit të tyre të origjinës por mua nuk më frigon një gjë e tillë. Ata janë profesionistë, do të luajnë pa emocione dhe do të japin maksimumin në fushë. Unë u besoj futbollistëve shqiptarë që kam në skuadër më shumë se syve të mi. Shpresoj të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim rezultatin që dëshirojmë. Nuk do të jetë e lehtë por do të provojmë të bëjmë më të mirën”, u shpreh Igor Angellovski, seleksionues i Maqedonisë.

Maqedonia sonte pretendon të nisë me sukses një cikël të ri dhe gjithçka përveç disfatës do të ishte sukses. Mendohet se Angellovski do të dalë me reshtimin 4-4-2 me Zahov në portë, mbrojta nga e djathta në të majtë do të përbëhet nga Ristovski, Shikov, Mojsov dhe Zhuta, në mesfushë reshtohen Alioski, Spirkoski, Stjepanoviq dhe Triçkovski, ndërsa sulmi do t’u besohet Hasanit dhe kapitenit Pandev. Përballja Shqipëri-Maqedoni luhet sonte me fillim në orën 20:45 minuta në stadiumin ‘Loro Boriçi’.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu