Mijëra qytetarë të Shqipërisë protestuan për dy orë në protestën e thirrur nga opozita.Protesta ishte kryesisht e qetë edhe pse u shënuan disa incidente. Partia Demokratike kërkon largimin e ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj, të cilin e akuzon se ka mbrojtur vëllain e tij Agron Xhafaj që është i dënuar për trafik droge.
Lulzim Basha gjatë fjalimit të tij, protestën e sotme e konsideroi si provë që shqiptarët nuk e duan më qeverisjen e Ramës. Basha theksoi se Shqipëria ka vetëm një rrugë, atë drejt Perëndimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Përpjekja jonë nuk është luftë për pushtet, përpjekja jonë është përpjekja e popullit kundër sundimtarit shkatërrues. Përpjekja jonë është betejë mes të mirës dhe të keqes, është beteja mes njerëzve që duan drejtësinë dhe atyre që kanë kapur drejtësinë. Në këto 30 vite udhëtimi ynë politik ka qenë plot ulje-ngritje. Sot ne nuk kërkojmë thjesht ndryshimin e qeverisë, por ndarjen e politikës nga krimi, nga korrupsioni, nga e keqja – deklaroi Lulzim Basha- Partia Demokratike.
Protestuesit u grumbulluan fillimisht në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, marshimi vazhdoi drejt Ministrisë së brendshme ku ka pasur edhe acarim të situatës. Incidentet e para u regjistruan para kryeministrisë, teksa turma po largohej për te godina e Ministrisë së Brendshme. Disa protestuesë hodhën flakadanë dhe sende të tjera, drejt forcave të policisë, por që gjithçka përfundoi shpejt dhe qetësisht.Godinat e Kryeministrisë dhe Ministrisë së brendshme mbetën të zhgarravitura nga ngjyra e zezë që hedhën protestuesit. Nga PD kanë publikuar foto të kryeredaktorit të gazetës Rilindja Demokratike teksa është goditur në kokë nga ana e policisë.
Teksa po zhvillohej protesta e PD-së para Ministrisë së brendshme, kreu i saj Fatmir Xhafaj ka qëndruar në zyrën e tij dhe nuk është prononcuar për mediat. Ndërsa komenti i kryeministrit Rama ishte teksa qentë lehin ne vazhdojmë të ecim para. Ai po ashtu reagoi në rrjetin social Facebook duke faleminderuar qytetarët që nuk morën pjesë në protestën për dëmtimin e Shqipërisë.
Për sigurinë gjatë protestës është angazhuar policia e shtetit me rreth 1500 forca policore dhe ambulanta.
Opozita e bashkuar protestoi sot pas publikimit të audio-përgjimit mes “Dëshmitarit X (Albert Veliu) dhe personit tjetër që pretendohet se është Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Partia Demokratike akuzon ministrin Xhafaj se po mbron vëllain e tij të dënuar në Itali dhe e lejon të vijojë aktivitetin e trafikut të drogës në Vlorë.