Sot në Kumanovë u bë inagurimi i Qendrës rekreative-sportive me sipërfaqe prej 6000 metër², me dy pishina olimpike një të hapur dhe një të mbyllur.
Ky projekt me vlerë monetare prej 3.1 milion eurosh është ndërtuar në pjesën lindore të Kumanovës, në një lagje të banuar kryesisht nga popullata maqedone. Në kuadër të këtij projekti, parashikohet edhe zgjerimi me hapjen e objekteve hotelierike dhe nje SPA-qendër.
Qytetarët shqiptarë të revoltuar për hapjen e kësaj qendre në lagjen me shumicë maqedonase, shprehin se ndihen të diskriminuar dhe aspak të sigurt për shkuarjen e tyre në këto ambiente duke qenë se edhe ata paguajnë tatime por shteti nuk sillet në mënyrë reciproke me ta.
“Si qytetar i Kumanovës jam i dëshpëruar tepër shum sepse kan ndërtu pishininën ku jetojnë shumicë e popullësi maqedone, ne paguajm tatime e asgjë nuk ndërtohet, nuk jemi të sigurt të shkojm në atë pishinë, fëmijët tanë si të shkojnë atje mundet të vij deri te rrahja madje edhe deri te vrasja”.
“Ne si qytetarë të Kumanovës, si parapagues së tatimeve që i kemi ndaj shtetit, dmth detyrat e tona ndaj shtetit dhe të shtetit ndaj neve duhet të jenë reciproke, e që interest mos të jenë vetëm se një palëshe, dhe se investimet mos të jenë vetëm një anëshme sepse kjo nuk është drejtësi”.
“Normal, te maqedonët më shumë po ndërtohet, po investohet, këtu te ne vet po e shihni shkret është ba krejt”. “Janë duke na diskriminu shumë neve shqiptarëve këtu në Kumanovë, ne edhe më tepër paguajmë taksa komunale kështu që edhe ne kemi të drejtë të kemi aso lloj pishina”.
Ndërkohë kryetari I komunës së Kumanovës shprehet se këto ambiente janë krijuar për të gjithë banorët e jo vetëm për maqedonasit. Gjithashtu ai thekson se ky plan urbanistik është sjellë që prej 18 viteve më parë, por ai nuk jep garanci sigurie për shqiptarët por as edhe për një ndërtim kaq gjigand në pjesët shqiptare. /infoshqip.com