Kryetari i Forcës së Re Demokratike në Mal të Zi, Nazif Cungu ka deklaruar se shqiptarët në Mal të Zi, janë bashkuar në dy lista zgjedhore dhe në zgjedhjet e ardhshme hynë për t’i fituar tri mandate në Kuvend, por edhe për t’u angazhuar më shumë lidhur me kërkesat e shqiptarëve në këtë vend.
Integrimi i shqiptarëve në të gjitha institucionet shtetërore, arsimi shqip dhe zhvillimi në vendet e banuara me shqiptarë, janë synimi kryesor i koalicionit që drejton Cungu.
Ai në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se me kërkesë të diasporës, kanë tentuar që të gjitha subjektet politike shqiptare të dalin me një listë të përbashkët, por që për fat të keq një gjë e tillë, ishte e pamundur.
“Këtë koalicion e përbëjnë Forca e Re Demokratike, Forumi Shqiptar i cili është i përbërë prej Alternativës Shqiptare dhe Lidhjes Demokratike Shqiptare, pastaj, Unioni i Tuzit dhe Iniciativa Qytetare Perspektiva, kështu që jena të përfshirë në të gjitha trevat shqiptare… kjo është lista të cilën e përfaqësoj unë i forcës së Lidhjes Demokratike, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni i Tuzit dhe Iniciativa Qytetare Perspektiva. Kjo është domethënë lista e madhe, ku është e përbërë prej 71% e votave të cilët kanë qenë në periudhat e caktuara të cilët i kemi vlerësuar. Edhe është lista tjetër e cila është e përbërë prej Partisë Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve edhe Lidhjes Demokratike në Mal të Zi”, tha ai.
Cungu thekson se në zgjedhjet e ardhshme në Mal të Zi, tentojnë të fitojnë dy mandate në Kuvend.
“Numri më i madh shqiptarëve është edhe në diasporë se sa vendet tona, dhe diaspora ka tentuar që të na ndihmoj dhe kanë shprehë gatishmëri që të vijë që të votojë që të na përkrahin. Sikur të ndodhte ajo, atëherë sigurisht do të ishte reale që të gjithë së bashku të arrijmë në tre mandate, por pasi që jena “ç’rregullu, përsëri atëherë unë besoj në qoftë se një numër i shqiptarëve prej diasporës do të vijë, atëherë mund të jetë reale që të marrim vetëm, pa as një koalicion dy mandate, por do të shohim”, tha ai.
Ai flet edhe për fushatën parazgjedhore.
“Ekzistojnë edhe kufizime ku kemi mundësi në hapësira të mbyllura të kemi takime deri maksimum 20 persona, kurse në hapësira të hapura 40 persona, kështu që nuk do të ketë promovime të mëdha, por sigurisht se do të debatoj me rrjete sociale, me së shumti të kontaktoj me simpatizantët dhe kombëtarët tonë, kështu që do të ketë një trajtim të veçantë edhe për shkak të situatës së përgjithshme, pritet që edhe numri i votuesve të jetë me i vogël se çka qenë në periudhën e kaluar”, ka shkruar ai.
Cungu tha se shqiptarët kërkojnë që të integrohen në të gjitha institucionet e Malit të Zi.
“Ne kemi synim që të integrohemi në të gjithë sistemin politik të Malit të Zi, dhe në të gjitha institucionet shtetërore, edhe deri tash në këtë koalicionin shqiptar të vendosur, që kemi arrit një mandat, për fat të keq vetëm një, kemi fituar nënkryetarin e parlamentit të Malit të Zi, një pozicion të ministrit domethënë një ministri, ministri për pakica, edhe disa ndihmësministrash në disa ministri tjera. Në qoftë se do të kemi sukses dhe të fitojmë dy deputetë, atëherë mundësia është e madhe që të kemi përsëri, pra pjesëmarrje në parlament, të themi së paku nënkryetarin e parlamentit dhe ndoshta edhe dy ministri. Varësisht prej rezultatit që do t’i kemi, atëherë edhe do të bahet ndarja e këtyre funksioneve në mes të këtyre pesë subjekteve, kështu që qëllimi është të kemi vota sa ma shumë dhe shumë lehtë do të merremi vesh brenda nesh, pasi që e kemi dëshmuar se jemi të gatshëm për bashkëpunim”, tha ai.
Ai shtoi se gjatë katër viteve janë arritur disa synime që i kanë pas, por sigurisht që kanë mbet edhe disa pika që t’i realizojnë.
“Ne e kemi kryesore arsimin në gjuhën shqipe që të avancohet arsimi në gjuhën shqipe, por edhe udhëheqësit e këtyre shkollave të jenë pra, prej shqiptarëve edhe të cilët do të jenë të përcaktuar prej Këshillit Kombëtar Nacional, dhe jo të jenë të imponuara dhe të përcaktuar prej dikujt tjetër. Problemi kryesorë tek ne është pjesëmarrja në institucionet shtetërore, pra ne si shqiptar jemi rreth 5% në përgjithësi, kurse pjesëmarrja është shumë më e vogël, e nuk e arrin as 1%. Domethënë, duhet që të kemi pjesëmarrjen në të gjitha institucionet, në Qeveri, në polici, në gjyqësorë, në prokurori, pra në të gjithë sistemin e Malit të Zi. Këto janë ato kërkesat tona kryesore edhe diçka çka është edhe më e rëndësishme, diçka çka është jetësore ajo është ekonomia, trevat ku jetojmë ne shqiptarët, treva me potenciale më të mëdha zhvillimore në tërë Malin e Zi, por për fat të keq jemi të trajtuar si pjesë e cila është e pa zhvilluar”, tha ai.
Cungu theksoi se nuk kanë mundësi për zhvillimin e turizmit, bujqësisë, blegtorisë.
Sipas tij, shqiptarët në Mal të Zi kanë emigruar pikërisht për shkak të problemeve ekonomike dhe nëse do të ketë përparim në këtë drejtim, një pjesë e tyre do të kthehen dhe do të investojnë në vend.