Viti 2016 ishte një vit i pështjelltë, jo veç për Kosovën, po për krejt botën. Derisa para 100 vitesh bota ishte në luftë, por shpresë kishte për ditë më të mira, viti 2016 ishte vit i humbjes së shpresave dhe i çmendurisë kur më nuk dihet çka është e vërtetë e çka gënjeshtër, se kush di e kush jo, e se çka është patriotizëm e çka jo… Injoranca po triumfon! Dëshmi për këtë janë shumica e akademikëve të pranuar më 2016 në ASHAK. E, se në cilat momente kanë kaluar shqiptarët më 1916, 1926, 1936, 1946, 1956, 1966, 1976, 1986, 1996, 2006 dhe 2016, këto mund t’i lexoni më poshtë…
1916: ISËN E VRANË, SHQIPËRIA E SHQIPTARËT HIQ MIRË NUK JANË E AS NUK PO BËHEN!
Në qershor 1914, Shqipëria ishte e copëtuar. Por, në prag të Luftës së Parë Botërore ishte një shpresë se ky realitet do të ndryshonte. Për këtë, mikja e madhe e shqiptarëve, anglezja Edith Durham, në një letër që kishte dërguar nga Vlora më 27 qershor 1914, kishte shkruar: “Shqiptarët besojnë se do ta marrin sërish Vilajetin e Kosovës. Dhe, deri tashti, sa i përket luftimit të sotëm dhe inteligjencës, burrat e Kosovës së bashku me lojalistët e Korçës janë maja e racës shqiptare. Ata së bashku do t’i ‘rregullonin’ grekët”!
Shpresat më të mëdha shqiptarët i kishin tek Austro-Hungaria, si mbështetëse e interesave shqiptare. Madje, Gjergj Fishta, kështu kishte shkruar për perandorin e Austrisë (Franz Josephi i I-rë, që do të vdesë më 21 nëntor 1916): “Ruje, Zot, Mbretin e Austris/ Qi Shqyptarve u ba murojë/ Në zemër të gjanë, me fuqi t’madhnisë/ Ky të na ketë përherë nën projë”!
Por, si mund të ndryshonin mirë punët për shqiptarët, kur shqiptarët vet i kontribuonin së keqes së tyre. Shkrimtari Ismail Kadare, te “Viti i mbrapshtë”, kështu e përshkruante vitin 1914 kur mbi qiell shfaqet kometa ogurzezë:
“Pa lindur mirë, shteti shqiptar qe bërë lëmsh. Dhe as që dihej kishte a s’kishte shtet. S’dihej kryeqyteti, se një qyteti i shkrepej sot të shpallej i tillë, e tjetrit i shkrepej nesër. Kishin humbur vulat e qeverisë. Kufijtë s’gjendeshin dot. I matnin, thoshin me litar, po njëri e tërhiqte litarin këndej e tjetri andej, e vinte i treti e i hiqte shenjat natën… Por, sado mendime të ndryshme të kishin për të tjerat, për një gjë ishin në një mendje të gjithë: që shteti shqiptar qe kthyer në njëfarë mishmashi që s’ishte parë kurrë në fytyrë të dheut.
Ushtri e banda të ndryshme e përshkonin kryq e tërthor nga njëri cep në tjetrin. Nga veriperëndimi marshonte ushtria austriake me topa fushore, me rregulla e me urdhra të shkurtra, tamam ushtri. Në lindje vërtiteshin trupa franceze… Ushtria lindore malazeze, me këngë me avaz të vjetër, lëvizte ngadalshëm në verilindje. Në pyjet e Mamurrasit zdërhalleshin bandat e Tur Kusarit dhe më tej ushtria veriore me tirq të zinj e Uk Bajraktarit. Ushtria serbe, me qerre me municion lëvizte në drejtim të kundërt, duke lënë pas gropa gëlqereje, me të cilën spërkatnin kufomat e të vdekurve nga murtaja. Bandat muslimane të Esad Pashës, që kërkonin rikthimin te Turqia, vinin vërdallë në Shqipërinë e Mesme nën zhurmën e daulleve, britmave Dum Babën, domethënë Sulltanin turk dhe duke kënduar këngë të zymta molisëse: Për xhenet u nisëm, sosëm në xhehnem, Shqipëri, moj kuçkë, ç’na bëre verem.
Së fundi ushtria e shtetit të porsaformuar shqiptar, më e brishta e të gjithave, me oficerë hollandezë, që s’kuptonin asnjë fjalë shqip dhe që pinin mbrëmjeve nga dëshpërimi”!
Kadare mund të mos ketë përshkruar si duhet faktet historike të kohës, por realiteti ishte se shqiptari ishte i molisur nga pushtimet dhe shkatërrimet e grekëve, serbëve dhe malazezëve, po edhe nga pazotësia për të ndërtuar një shtet e një shoqëri normale. Ndaj, ndonëse Lufta e Parë Botërore shihej si pikë shprese, shpresa nuk vinte.
Bile, viti 1916 nis fortë keq. Më 23 janar vritet patrioti dhe luftëtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, Isa Boletini (1864-1916). Ai vritet me të bijtë, Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre luftëtarë të tjerë, në një pritë në Podgoricë të organizuar nga Ushtria malazeze. Ai u tradhtua nga ambasadori francez në Malin e Zi, që gjoja e merr në mbrojtje që në Shkodër, qytet ky që sërish ishte pushtuar nga malazezët më 27 janar 1915. Isa begu vritet dy orë pa u futur Ushtria Austro-Hungareze në Podgoricë. Të njëjtën ditë, austro-hungarezët futen në Mitrovicë. Të njëjtin muaj, kjo ushtri futet edhe në Shkodër dhe largon malazezët nga aty.
Në mesin e atyre që kanë marrë pjesë në vrasjen e Boletinit, ishte një oficer kufitar i Malit të Zi, Nikolla Gjillas. Ky person më 1924 ishte pjesëmarrës në Masakrën e Shahoviqit në Sanxhak, ku vriten njëmijë banorë. Ndërkaq, gjatë Luftërave Ballkanike kishte bërë kërdi edhe në Rrafshin e Dukagjinit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ministër i Brendshëm i Shqipërisë së bashkuar ishte Xhafer Deva, komandanti Mehmet Gradica i jep urdhër Demir Ngucatit nga Marina e Skënderajt, bashkë me Rifat Dakollin nga Rezalla, ta vrasin Nikollën. Nikolla – që kishte ardhur si kolon e që jetonte e vepronte si pop në Skënderaj – u vra. Kështu i merret haku Isa begut.
Nikolla ishte babai i Millovan Gjillasit, partizanit që pas Luftës së Dytë Botërore do të jetë një ndër njerëzit më të fuqishëm të Jugosllavisë e më vonë disidenti më i madh i këtij shteti. Ky, më 10 shkurt 1948, ishte pjesë e delegacionit të Jugosllavisë që do të vizitojnë Moskën se çfarë duhet bërë me Shqipërinë: me lënë veç si shtet, a me bashku me Kosovën në kuadër të Jugosllavisë?
Në librin “Tokë pa drejtësi”, Millovan Gillas, kështu e përshkruan rënien e Boletinit: “Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr. Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rënë përdhe”.
100 vjet pas vrasjes së Boletinit, shqiptarët e Kosovës do të kenë një tjetër “luftë” me Malin e Zi: Demarkacionin!