Shqiptarët më të lashtë se grekët në Ballkan. Ja sesi është sajuar historia e Greqisë parahelene

Mathieu Aref, një studiues, që tashmë ka tentuar t‘i kthejë përgjigje me studimin e tij prej vitesh këtyre pikëpyetjeve, nuk denjon të vihet në qendër të diskutimeve akademike, duke thënë se “është Shqipëria, ajo çfarë ai e quan odiseja e pabesueshme e një populli para-helen”

Mathieu Aref, studiuesi i njohur francez, rrëfehet për “Shqip” pas botimit të librit të tij, “Shqipëria, odiseja e pabesueshme e një populli para-helen”, (“para-helen” = shpjegim: Që lidhet me Greqinë e lashtë ose me grekët e vjetër, që është karakteristikë për Greqinë e lashtë ose për grekët e vjetër).

A mos është i mbivlerësuar roli i grekëve në historinë e Gadishullit Ballkanik?

Pas kaq shekujsh, pas imazhit të mrekullueshëm që grekët i kanë dhënë së kaluarës së tyre, është pak e vështirë të ngresh pikëpyetje për kulturën e madhe klasike të helenëve. Por, prej kohësh, studiues të ndryshëm nuk kanë ngurruar të ngrenë pikëpyetje mbi qytetërimin e lashtë grek.

Vetëm pak kohë më parë, një studiues amerikan botoi librin “Athina e zezë”, ku perëndesha e bardhë me sy ngjyrë deti, perëndesha e diturisë, mbrojtëse e Athinës, sipas tij ka një të kaluar afrikane.

Mathieu Aref, një studiues, që tashmë ka tentuar t‘i kthejë përgjigje me studimin e tij prej vitesh këtyre pikëpyetjeve, nuk denjon të vihet në qendër të diskutimeve akademike, duke thënë se “është Shqipëria, ajo çfarë ai e quan odiseja e pabesueshme e një populli para-helen”. Dhe, ky popull i vogël, sipas tij, ka qenë populli i madh që ka ekzistuar para grekëve.

Duket si një guxim nga ana e Aref, një “guxim” të cilin ai e argumenton me prova shkencore, të cilat kërkojnë të hapin një debat, që, sipas tij, synon rishkrimin e historisë. Historia e pabesueshme e pellazgëve, që, sipas tij, janë ilirët e mëvonshëm, të cilët u hodhën në një cep të historisë dhe shumë pak studiues u rrekën të merreshin me ta.

Por, pikërisht nga pellazgët nis shpjegimi i gjithë asaj historie “të shkruar keq”, sipas Aref, që e bën rolin e grekëve të mbivlerësuar ende në ditët e sotme. Më poshtë, Aref, pas debateve që ka ngjallur në nivele të ndryshme akademike, rrëfen disa nga tezat, që, sipas tij, vërtetojnë studimin e nisur kohë më parë, që i bën të ndihen mirë shqiptarët, por që “trazon” kulturën tashmë të konsoliduar greke.
-“Shqipëria, odiseja e pabesueshme e një populli para-helen”.

Libri juaj sapo është përkthyer në shqip. Mund të na rrëfeni se çfarë do të thotë kjo për ju?

Qëllimi kryesor i këtij libri është vënia në vend e së vërtetës. Asaj të vërtete, mbi të cilën rëndojnë plumb 2500 vjet. Nuk kemi të bëjmë asfare me trallisje dhe teka personale, as me fantazime fluturake, aq më pak me shovinizëm, por me një tezë të përpunuar shkencërisht, me argumente të forta, në mos të patundshme, fakte historike të shënjuara, analiza dhe hulumtime të thelluara në disa fusha shkencore, bazuar në referenca të verifikueshme.

Ky libër më ka kushtuar vite të tëra studimesh, mjaft mund e djersë, gjithashtu para. Pra, nuk e kam bërë këtë vëllim të madh punë për të bërë sensacion apo për lavdi vetjake.

-Çfarë e shtyu Aref të merret me një studim të tillë, që në shumë qarqe letrare është quajtur edhe si një provokim, që ju kërkoni t‘i bëni historisë greke?

Si dhe për çfarë e kreva gjithë këtë punë? Para së gjithash, natyra më pajisi qysh fëmijë me një shpirt kritik, të zhvilluar dhe me kureshti të madhe. Të jetuarit në Egjipt, në një shoqëri kozmopolite, më ka dhënë përparësinë e vështrimit elektrik.

Në themel ishte terreni pjellor dhe premisat e një rrugëtimi që do ta nisja disa vite më vonë. Njohja e gjuhës shqipe, e folur qysh në djep (sidomos dialekti gegë) e që zura ta shkruaj fare i ri, më dha shumë dorë. Studimet në gjuhën frënge (letërsi, filozofi, greqisht, latinisht, artet e bukura, gjuhët e huaja, arabe, angleze, italiane) po ashtu nuk janë të huaja ndaj këtyre lloj studimesh e kërkimesh.

Shkëndija fillestare ishte dalja në dritë e librit të parë të Zaharie Mayani, “Etruskët nisin të flasin”, në 1961-in, pasuar nga i dyti, “Fundi i misterit etrusk” në 1970-ën. Ja një dijetar, joshqiptar, që ia mbërriti të hedhë dritë mbi misterin e popullit të madh etrusk, falë gjuhës shqipe, që për më tepër nuk ishte as gjuha e tij mëmë.

Kjo gjë më tundoi, më befasoi dhe mbi të gjitha më mrekulloi. Qysh atëherë, e përgjatë tridhjetë vjetëve, jam vënë në përndjekje të këtij populli misterioz para-helenik, që, nga zbulimi në zbulim, mora udhërrëfyes kah shqiptarëve.

Pas kësaj periudhe të gjatë më është dashur më shumë se pesë vjet për të kryer pareshtur studime e hulumtime të thelluara në fusha nga më të larmishmet: histori antike, arkeologji, antropologji, etnologji, gjuhësi dhe mitologji.

Të thuash të vërtetën nuk përbën në asnjë rast provokim. Ajo mund të lëndojë, të fyejë, por gjithnjë ia vlen ta thuash. Këtu, veçse vë në vend këtë të vërtetë, çiltërsisht pa paragjykime dhe me rigorozitetin më të madh intelektual.

S‘kemi të bëjmë me larje hesapesh apo me sulme të paramenduara kundër Greqisë dhe popullit grek, për të cilin ruaj sqimën më të lartë. Një kërkues duhet të mbetet krejt i paanshëm.

Ajo që kam bërë është një punë vetëm shkencore dhe jo keqdashësi ndaj cilitdo qoftë. A mos vallë është faji im që shqiptarët rrjedhin prej pellazgëve, të cilët për mendimin e të gjithë autorëve të Antikitetit kanë pararendur grekët në Ballkan, Egjipt e në Azinë e Vogël dhe që këta të fundit u detyrohen për një pjesë të madhe të qytetërimit të tyre? Ta quash këtë një provokim përbën në vetvete një provokim.

-Cilat janë pikat e forta, që, sipas jush, argumentojnë atë që shqiptarët janë më të vjetër se helenët?

Ju më pyesni përse i konsideroj shqiptarët një popull më të lashtë se grekët! Thjesht sepse ata rrjedhin prej pellazgëve, të cilët, sipas vështrimit unanim të autorëve më të vjetër grekë (Hekateu i Miletit, Helanikos i Mitilenës, Herodotit, Tuqididit, për të përmendur këtu më të shquarit), u transmetoi grekëve mitologjinë, kultet, si dhe një pjesë të madhe të kulturës e gjuhës së tij. Do më kthehen e të më thonë se përse ata rrjedhin prej pellazgëve e jo prej ilirëve.

Sepse, në fakt, s‘është veçse i vetmi dhe po i njëjti popull. Për shumë shqiptarë dhe për një pjesë të mirë të specialistëve të epokës komuniste, shqiptarët mund të rridhnin vetëm e vetëm prej ilirëve! Faktikisht, e për çudi, pak specialistë kanë ndërmarrë udhën e studimeve mbi pellazgët. Edhe pas pothuaj njëqind vjetësh vetëm tre shqiptarë kanë shkruar mbi këtë popull, Adhamidhi, Spiro Konda dhe Dhimitër Pilika. Dhe është shumë pak!

Kur shumë studiues të huaj kishin kuptuar ndërkohë rolin dhe rëndësinë e pellazgëve para mbërritjes së grekëve. Përse pra ilirët e kanë prejardhjen prej pellazgëve? Këta të fundit kishin trevat e tyre nga Atlantiku deri në Detin e Zi dhe prej dy brigjeve të Danubit deri në Egje dhe në Azinë e Vogël.

Emri i pellazgëve mbetet “një emërtim përgjithësues”, duke qenë i përshkruar si popull i lashtë parahistorik, i quajtur emërtim përgjithësues” dhe duke qenë i përshkruar si popull i lashtë parahistorik i quajtur “shpellagji”, që do të thotë njerëzit e guvave. Egjiptianët i quanin “pelesët” dhe hebrenjtë “peleshtim”. Këto etnonimi na kujtojnë filistinët (pellesh…et, peleshetëtim, domethënë “shpellagji”), që nuk është gjë tjetër veçse emri që u është dhënë prej semito-egjiptianëve.

Ky popull i përbërë nga tribu të shumta mbante mjaft emra, por fliste të njëjtën gjuhë dhe kishte të njëjtat tradita: trojanët, dardanët, ligurët, lelegët, karientë, likenët, iberët, frigjanët, moskët, filistinët, trakët, ilirët, pikenët, daunientët etj.

Për këtë arsye, (autorët modernë) i kanë konsideruar si popuj të ndryshëm. Sidoqoftë, ne do të gjejmë prova të shumta përmes emrave të mitologjisë (të shpjegueshme prej shqipes) dhe miteve parahelenike, që grekët i kanë pronësuar dhe përshtatur sipas nevojave të tyre prej kolonizatorësh, duke i bërë elementet themelore të qytetërimit të tyre: Zeusi u lind në një “shpellë” në Kretë. “I pari njeri” qe “pelazgos” i pjellë prej dheut, “kurerët” ishin rojet e foshnjës Zeus (ku u rritëe Zeusi), emri “autochone” shpjegohet sipas shqipes “Tokët tonë), Jonët (Herodoti) ishin pellazgë të shndërruar në helenë pas mbrujtjes me gjuhën greke etj. Për sa i përket emrit “Ilir”, ai e ka bazën ashtu si dhe për Palasges prej “një emërtimi të përgjithshëm”, që i përket të vetmit e të njëjtit popull me “tribu të panumërta”: Peonët, Dardanët, Tribalët, Pelagonët, Penestët, Autoriatët, Enkelët, Thesprotët, Molosët, Kaonët, Panonët, Istrianët, Venetët (Enetët e Herodotit), Dalmatët etj. Faktikisht, autorët e antikitetit, si Herodoti i kanë klasifikuar banorët e Veriut të Greqisë si një “popull i pavarur” (popull i lirë).

Ky emërtim është përgjithësuar për të na dhënë përshkrimin e kësaj mase të madhe tribuje, siç kanë qenë “ilirët”, që do të thotë “libres”: I lirë, të lirët? A nuk ka rrëfyer Plini i lashtë se populli ilir përbëhej nga më se 300 kombësi?! Herodoti, a nuk ka thënë për trakët (degëzimi lindor i pellazgëve): Trakët janë, pas Induve, populli me numër më të madh në botë, i cili, nëse do të ishte bashkuar mesvedi do të kishte dominuar botën.

E kjo nuk është një stisje: ka fakte historike të pakundërshtueshme. E vetmja provë flagrante e ekuacionit pellazgë=ilirë=shqiptarë është gjuha. Nëse shqiptarët e sotëm do t‘ia mbërrinin të deshifronin shumë prej emrave të mitologjisë, toponime dhe gojëdhëna që qarkullojnë në Evropë, ky do të ishte përfaqësimi më i mirë i kësaj trashëgimie mijëvjeçare.

Ilirët (degëzimi përëndimor i pellazgëve) kanë qenë kësisoj pellazgët e vërtetë, për sa që gjuha e këtyre të fundit është përcjellur të pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë, ilirët e mandej shqiptarët, ku gjuha (sidomos dialekti gegë) flitet ende sot e kësaj ditë, qysh prej më se 3000 vjetësh.

Për sa i përket “mikenasve” hipotetikë, në fakt ata ishin veçse pellazgë, për sa grekët ende nuk ishin shfaqur. Ky emërtim u krijua artificialisht nga Schliemann gjatë shkarjeve të tij për “mikenët”. Në fakt, nëse ai do të kishte zbuluar gjurmët e tyre në Athinë, ata do të ishin quajtur “Qytetërim Athinas”.

Nuk ka asgjë shkencore në një të tillë përshkrim të një populli, që nuk ka ekzistuar kurrë nën këtë emërtim. Ndërsa për sa i takon linjës B, deshifruar prej Ventris e Chadëick, ajo bën fjalë për “pellazgjishten e lashtë” të ngatërruar me greqishten antike.

Veç të tjerash, në një farë mase mund të thuhet se greqishtja antike (sidomos jonike, meqë jonët ishin pellazgë) ka rrjedhur drejtpërsëdrejti nga pellazgjishtja e lashtë me prurje greke, domethënë semito-egjiptiane. Ja sesi është sajuar historia e Greqisë parahelenike.

-Idetë e hedhura nga ju janë interesante për shqiptarët. A mund të ketë iniciativa të tjera, jo thjesht libra, të cilat do të mund të bënin një ndryshim të historisë së shkruar?

Unë mendoj që aktualisht ka argumente të mjaftueshme, prova dhe elemente të spikatura, që u lejojnë historianëve, studiuesve dhe dishepujve të tyre të rishkruajnë historinë e Greqisë parahelenike.

Nëse mund të them Greqia “parahelenike”, kjo ndodh sepse historia e Greqisë “strico sensu” (ajo para shekullit VIII para Krishtit) është e njohur dhe e klasifikuar pothuajse saktë. Praktikisht është thënë gjithçka për atë Greqi “strico sensu”, të cilës unë nuk mund t‘i shtoj dot asgjë.

Pra, unë nuk kam absolutisht asgjë çka të them mbi këtë lloj Greqie (atë të Solonit, atë të Pizistratit apo Perikliut), veç faktit të të qenit të admirueshme dhe se njerëzimi i detyrohet për gjithë çka më të bukur e më me vlerë. Mirëpo pellazgët diç kanë lënë aty.

Pikërisht këtë diçka historianët, linguistët dhe arkeologët tanë modernë nuk kanë denjuar ta shquajnë. Madje, një Greqi e tillë (pas shekullit VIII: arkaike, klasike, e helenistike) as nuk bën pjesë në studimet dhe hulumtimet që unë kam kryer në dy librat e mi.

Kështu, nuk ka asnjë tregues që të provojë se Greqia ekzistonte para shekullit VIII para Krishtit. Ndërtimi i “tempujve”, shfaqja e qytezave (“Polis”), konfederatat religjioze (amfiktionet), shpalosja e stileve arkitekturore (dorik, jonik, korintas), zhdukja e mbretërimeve dhe shfaqja e tiranisë, ekspansioni kolonial (emporion=tregje dhe apoikoi=koloni), krijimi i tempullit të Delfit, shfaqja e alfabetit dhe e të parave shkrime greke, shfaqja e lojërave olimpike, shekulli i artë i thënë i “Perikliut”: gjithë këto ngjarje marrin jetë pas shekullit VIII. Sa për Homerin, të shumtë janë ata që mendojnë se nuk ka ekzistuar ose që nuk ka shkruar kurrë asgjë.
Fakti thotë se ai nuk ka shkruar, pasi gjuha greke është shkruar vetëm nga fundi i shekullit VII. para Krishtit. Ai mundi të ekzistojë si rapsod. Për rrjedhojë, poemat e Homerit (“Iliada” dhe “Odiseja”) mundën të shkruhen vetëm në shekullin VI, në epokën e Pizistratit. Këto poema epike kanë për origjinë traditën gojore, të përçuar nga brezi në brez prej rapsodëve pellazgë.

Grekët i morën dhe i kënduan (duke i përpunuar për kauzën e tyre) me rapsodët e tyre. Keqkuptimi vjen prej faktit se ngatërruam gjithçka: Greqinë para-helenike (para shekullit VIII) me Greqinë në bllok (pas shekullit VIII). Le të mos harrojmë as faktin se studimet mbi pellazgët jo vetëm sikur u harruan, por edhe u mënjanuan plotësisht.

Le të themi se disa studiues modernë (historianë, arkeologë dhe gjuhëtarë) kanë vënë në dukje se pellazgët përbëheshin prej popujsh të ndryshëm, mandej të zhdukur trup e shpirt, pa lënë as më të voglën gjurmë: etni e gjuhë! Ndërkohë që kjo etni vijoi me ilirët në perëndim dhe trakët në Lindje.

Ndërkohë që të gjithë autorët e lashtë lanë gjurmë të shkruara, sipas të cilave ky popull parahelenik ka pas qenë shumë i lashtë (njerëzit e parë) dhe që në kohën e Herodotit në shekullin V para Krishtit popullonin ende krahina të tëra (Arkadia, Argolida, Atika, Tesalia, Lakonia etj.), të kuptojmë ishujt (Kreta Lemnos, Lezbos dhe veçanërisht Samosin)!

-Si e shihni historinë e Ballkanin sot?

Ka pak kohë që u konfirmua shprehja “baruti i Ballkanit” me luftën dhe problemin e Kosovës (e mbetur ende pezull). Mendoj se shpirtrat dhe mendësitë kanë evoluar ndopak dhe fantazma e luftës po largohet gjithnjë e më tepër, veç nëse qëllimisht dhe pozicionet politike të Fuqive të Mëdha, sidomos Bashkimit Evropian, ashpërsohen ose ndryshojnë. Aktualisht, Kosova është një nga problemet më të thekshme në Ballkan. Pa rregullim paqësor, të barabartë dhe të drejtë, ndoshta s‘do të ketë kurrë paqësim në rajon.

Sa për vete, jam për pavarësinë e Kosovës, sepse pas gjithë atyre fatkeqësive dhe krimeve (le të themi etnocid) dhe urrejtje mes dy popujve (serbë e kosovarë) nuk mund të bashkëjetojnë dhe të ndërtojnë së bashku një shtyhet që të mund të funksionojë.

Me t‘u rregulluar ky problem, Ballkani mund të përfytyrojë në gjirin e Evropës së bashkuar një forcë dinamike dhe ndërtimtare për ardhmërinë e këtij rajoni të mbetur fatkeqësisht pa trashëgimi, i shqyer, i tollovitur dhe i izoluar pas shumë shekujsh pushtimi otoman dhe dekadash komuniste.

-Shumë njerëz mendojnë se e kaluara nuk duhet trazuar për hir të së ardhmes, ndërsa ju e trazoni atë. Për çfarë shërben kjo?

Sigurisht që do të më bëhet pyetja se përse i trazoj kujtimet e vjetra, kur e ardhmja ka vlerë më tepër? Po, por e ardhmja është gjithherë e lidhur me të shkuarën. Nëse ne ekzistojmë, kjo ndodh sepse të tjera kanë ekzistuar para nesh dhe na lejuan të jemi ata që jemi, duke na dhënë atë që kemi më të çmuar.

Kur kjo e shkruar mbetet në hijen ku është degdisur, e ardhmja mbetet e errët. Për çfarë shërben të zgjosh të shkuarën? Sigurisht për të kuptuar më mirë të ardhmen. Çështja që na intereson këtu, nuk është të flasim për një të kaluar të qartë dhe të kthjellët, por për një të shkuar që na mbahet e fshehur dhe që manipulohet për një kauzë të njëanshme.

-Në kohët e sotme, idetë ndryshe apo përgënjeshtrimi i historisë është bërë si në modë. A keni pasur frikë se do të paragjykoheshit, kur nisët ta shkruanit këtë libër?

Jo, unë nuk jam tipi që ndjek modën. Kam aq karakter dhe personalitet sa për t‘u bërë ballë sirenave të demagogëve, paragjykimeve apo “publikisht e mirënjohur”, sidomos kur përpiqen të të largojnë prej së vërtetës. S‘ndiej asnjë influencë në lidhje me këtë çështje.

Një proverb francez thotë: “Me bë çka duhet, me ngjarë çka mundet”. Kur nisa të shkruaj librat, mendova fill rezultatin përfundimtar dhe i thashë vetes: nëse gabohesh, nëse argumentet e tua nuk janë bindëse, nëse referencat nuk janë të verifikueshme, do të pësosh kundërshtinë dhe poshtërimin!

Ndaj fillova të kërkoj “provën e së kundërtës”, atë çka mund të vinte e të shqetësonte tezën dhe vërtetimet e mia shkencore. E pasi shkoqita gjithçka hollë-hollë, s‘gjeta provë për të kundërtën. Trondita qetësisht një seri të tërë studimesh dhe kërkimesh. Me ndërgjegje të lehtë dhe zemër të qetë, karvani im vazhdon më tej bindshëm.

-Cili është Aref, jeta që ju bëni?

Është e vështirë për të folur për veten. Gjithë ç‘mund të them është se jeta ime s‘ka të bëjë me veprën time. Gjithsesi, do të flas qartë, veç për të thënë se përherë kam qenë ndër ata “të drejtët”, në kuptimin më të fisëm të fjalës.

Në jetën time private dhe profesionale e kam dënuar gjithnjë padrejtësinë prej nga vinte dhe cilado që të ishte. Integriteti dhe këmbëngulja ime, lehtësitë në përshtatje, bagazhi kulturor, guximi dhe korrektësia në punë më mundësuan të ushtrojë funksione interesante e të rëndësishme.

Posti i fundit ishte drejtor i një filiali të një shoqërie të madhe franceze. Kam lindur në Kajro (ku kam kaluar njëzetë e tre vitet e para të jetës sime dhe kam kryer pjesën më të madhe të studimeve. Prindërit e mi kanë lindur në Shqipëri në krahinën e Matitm, më saktë në Rrembull. Kam dy vëllezër dhe një motër. Gjithashtu katër fëmijë, nga mosha 33 deri në 39 vjeç (tre djem dhe një vajzë). Jam pensionist që prej 1999-ës.

Kam pasur disa probleme shëndeti ndaj dhe bëj kujdes. Merrem me administrimin e publikimeve të mia, me letërkëmbime e marrë pjesë herë pas here në konferenca. Kam shkruar dhe disa ese metafizike e filozofike (të pabotuara). Merrem, jo me shumë vrull me pikturë dhe poezi klasike (rreth 250 poema të pabotuara).

-Mund të na flisni pak për lidhjet me Shqipërinë?

Lidhjet e mia me Shqipërinë kanë qenë të dobëta (ne kemi vetëm lidhje epistolare me familjarët veç nëse posta përgjohej prej autoriteteve shqiptare dhe nuk mbërrinte në destinacion) për arsye të largimit e të këputjes së shkaktuar prej komunizmit në Shqipëri dhe që nuk lejonte kollaj të vizitonte vendin.

Sjell ndërmend kujën e nënës, kur mori lajmin e vdekjes të nënës së saj, motrës, vëllait e të të tjerëve. E s‘mund të rrija pa qarë bashkë me të. Por mbeta shumë i lidhur me mëmëdheun, për shkak të edukimit, rrënjëve dhe me gjithë ç‘mban barku.

Në Egjipt, komuniteti shqiptar ka qenë mjaft i rëndësishëm (shpesh në përmbajtje kish njerëz me vlera të larta). Babai im ka pas njohur poetët Çajupin, Asdrenin, shkrimtarin Ernest Koliqi, kumbar i vëllait tim të vogël, Isa Boletinin (një nga heronjtë e pavarësisë së Shqipërisë), Mbretin Zog dhe familjen e tij etj.

Mos mendoni as edhe një çast që i shkruaj librat e mi i ngarkuar me ndonjë ndjenjë shovinizmi. Po e përsëris atë që thashë më sipër, puna ime është para së gjithash shkencore dhe nuk përket brenda aspak prej ndjenjave. E dua Shqipërinë, por jam i drejtë dhe i paanshëm me historinë e saj, intransigjent me të.

-A keni pasur kërcënime pas botimit të librit?

Pasi kam botuar dy librat e mi (2003-2004) nuk kam marrë asnjë kundërshti zyrtare për sa u përket tezave prej ndonjë sektori universitar apo shkencore. Sigurisht që asistoj shpesh andej-këtej me ndonjë reagim epidemik personash dyshues e madje armiqësorë, por pa nivelin e duhur e të mjaftueshëm kulturor për të debatuar mbi këto çështje të mprehta.

Kritika është e thjeshtë, por arti i vështirë, thotë një proverb i famshëm. Zakonisht mbizotëron habia. Por, përmbajtja e librave të mi del prej shtigjesh të rrahura. Pedagog universiteti apo studiues rishtar është shumë normale që ata të shqetësohen prej këtij subjekti që i tejkalon: se kanë ndeshur në amfiteatrot e tyre universitarë këtë lloj teze. Ç‘nuk është normale është të kundërshtosh tezën pa sjellë as më të voglën “provë” të së kundërtës”.

-Të flasësh për Shqipërinë sot, në një moment kur ajo ende nuk e ka marrë veten nga plagët e komunizmit, kur ecejaket e saj drejt vendeve perëndimore sa vjen e bëhet më e vështirë, çdo të thotë ta paraqesësh këtë popull të vogël, si një popull nga më të hershmit e njerëzimit?

Mendoj se në mënyrë të tërthortë iu përgjigja kësaj çështjeje përgjatë kësaj interviste. Sipas gjithë asaj çka thashë, ripohoj se nëse Shqipëria është një nga vendet më të vogla, më pak e qytetëruara ose më e shpronësuara e Evropës, s‘duhet harruar se është “një popull i madh”. (Shtet i vogël, por popull i madh!) S‘kemi aspak antinomi.

Mund të jesh i varfër, por i fisëm. Së fundi, mund të thuhet se vijimësia etnike (me gjithë përzierjet) kulturore dhe gjuhësore (me gjithë ndërfutjet dhe neologjizmat) nuk reshti kurrë në këtë zonë ballkano-danubiane, me gjithë mësymjet e ndryshme dhe pushtimet romake, bizantine e otomane: shqiptarët jetojnë bash aty ku kanë qenë të paktën qysh prej neolitit. Por, fatkeqësisht historia shtangu në atë çka deshën të na bënin të besonim. SHQIPTARI.eu

/Ribotim me shkas për shkak të debatit të hapur nga disa kritikë madje me fjalor edhe fyes.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu