Shqiptarja çudit Gjermaninë: ‘Në kafenenë time nuk lejohen burrat’

Në moshën 18-vjeçare, Sumeja Zumberi realizoi një ëndërr të kahershme duke hapur kafenenë e saj.

Ajo që e bën këtë kafe unike është koncepti i saj i pazakontë: hyrja është ekskluzivisht për gra, ndërsa burrat nuk lejohen të qëndrojnë brenda.

Kafeneja e saj, e quajtur “Baresha,” është e para e këtij lloji në qytetin e Bremenit dhe ndodhet në lagjen Gröpelingen, një zonë ku mbi 60% e banorëve kanë prejardhje migrante. Sumeja thotë se ideja për këtë biznes i lindi nga vëzhgimi i saj se kafenetë në zonë frekuentoheshin kryesisht nga burra, dhe kjo ndonjëherë krijonte një atmosferë të pakëndshme për gratë.

Që nga hapja e kafenesë së saj gjashtë javë më parë, koncepti ka shkaktuar debate të shumta në internet.

Megjithatë, Sumeja mbetet e palëkundur dhe thotë se është e bindur se gratë ndihen më të lira dhe më të rehatshme në ambientin që ajo ka krijuar. “Sidomos ato që kanë përvoja të këqija në të kaluarën apo nënat që vijnë me fëmijë apo që ushqejnë me gji,” shpjegon ajo për gazetën BILD.

Për burrat që duan të blejnë akullore, shërbimi ofrohet vetëm në banak, por nuk mund të qëndrojnë.

Sumeja është e mbështetur plotësisht nga familja e saj, e cila ka më shumë se 30 vite që jeton në Gjermani. Familja e saj, shqiptare nga Kosova, e ka ndihmuar që ëndrra e saj të bëhet realitet. Babai i saj kujdeset për financat dhe sigurimet, ndërsa nëna e ndihmon në restorant.

Kafeneja, me kapacitet për rreth 30 gra, ka pasur një fillim të mbarë. “Deri tani kam marrë vetëm reagime pozitive,” thotë Sumeja me krenari. Një nga klientet e rregullta, që shpesh shoqërohet me miqtë dhe motrat, shpjegon se ndjen një atmosferë më të sigurt dhe të qetë në këtë ambient.

“Baresha” përfaqëson më shumë se një vend për të pirë një kafe – është një hapësirë ku gratë mund të ndihen të sigurta dhe të lira.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu