Shtetit i kërkon pagesat në kohë, vetë s’paguan

Kompanitë private e kanë patjetër që të paguajnë me kohë borxhet e ndryshme ndaj shtetit dhe kompanive në pronësi shtetërore, për dallim prej këtyre të fundit që shpesh vonojnë pagesat ndaj bizneseve. Borxhet e ndryshme që ka shteti ndaj kompanive nuk ndërlidhen vetëm me kthimin e tatimit të vlerës së shtuar (TVSH), për të cilin afaristët nuk dëshirojnë të flasin publikisht, por edhe me borxhet e tjera.

Aktualitetin e problemit me vonesat e pagesave të sektorit publik ndaj sektorit privat e konfirmoi edhe anketa e fundit e Odës ekonomike të Maqedonisë, sipas së cilës bizneset ankohen se ballafaqohen me jolikuiditet të madh, kryesisht për shkak të mosrespektimit të Ligjit për disiplinë financiare nga ana e sektorit publik.

“Qeveria me çdo kusht tregon sjellje vetjake dhe përpiqet t’i paguajë vetëm kërkesat e saja, bile edhe në kompanitë për të cilat në të njëjtën kohë e din se ajo u ka më shumë borxh atyre për TVSH-në apo për shërbime të tjera”, thotë Zoran Vitanov, kryetar i Shoqatës së menaxherëve të Maqedonisë. Sipas tij, situata është e tillë pasi asnjëherë deri më tani njerëzit e parë të qeverive në Maqedoni nuk kanë qenë njerëz të biznesit, që do të dinin se si funksionon sipërmarrja.

Nga ana tjetër, afaristët thonë se në praktikë shpesh janë të detyruar që të paguajnë prej përpara me paradhënie repromaterialet që u nevojiten në prodhim, ndërsa blerësit shpesh ju kërkojnë pagesë të anuluar, që e arsyetojnë me rënien e qarkullimit dhe fuqisë blerëse. Kryetari i Organizatës së Punëdhënësve, Angel Dimitrov, thotë se kompanitë në Maqedoni për vite me radhë kanë problem me mungesën e parave të gatshme apo jolikuiditetin, që vështirësohet në mënyrë shtesë me sektorin publik, që në një pjesë të madhe vonon pagesat e furnizimeve publike.

“Dihet se shteti është punëdhënësi më i madh dhe nëse ai nuk i paguan shërbimet publike, kjo krijon së pari problem për kompanitë që marrin pjesë në furnizimet publike dhe pastaj edhe në zinxhirin e pagesave edhe për të tjerët që janë partnerë të tyre afarist”, thekson Dimitrov. Sipas tij, problem tjetër i jolikuditetit është edhe kapitali i vogël me të cilin disponon biznesi vendor, që në një pjesë të madhe e siguron përmes kredive ose përmes furnizuesve me pagesë të anuluar të repromaterialeve.

Problemin me vonesat e pagesave të sektorit publik ndaj sektorit privat dhe mosrespektimin e Ligjit për disiplinë financiare e tregoi edhe anketa e fundit e Odës ekonomike të Maqedonisë, që u realizua në muajin gusht.

“Kthimi i TVSH-së për 97 për qind të kompanive realizohen brenda 1 deri 3 muaj, që është dinamikë e pranueshme për bizneset. Gjithashtu, 40 për qind e kompanive theksojnë se afati i pagesës është shumë më i gjatë se obligimi i pagesës. Kjo sidomos vlen për kompanitë që japin shërbime në sektorin publik. Edhe pse kjo pagesë është me afate të zgjatura prej 30, 60 dhe 90 ditë , megjithatë edhe këto afate nuk respektohen. Si rezultat i gjendjeve të tilla, nga ana e komunitetit të biznesit është theksuar mosrespektimi i Ligjit për disiplinë financiare, që duhet në mënyrë sistemore të rregullojë pagesat e ndërsjella dhe plotësimin e marrëveshjeve të ndërsjella midis sektorit privat dhe publik”, thotë anketa e realizuar me 800 kompani të sektorëve të ndryshëm, shkruan gazeta Koha.

Gjithashtu paraqiten raste kur kompanitë janë të detyruara të marrin kredi të reja që të paguajnë borxhet dhe obligimet e tyre të punës, pasi me kohë nuk arrijnë të paguajnë kërkesat për shërbimet që kanë realizuar me klientët me të cilët kanë bashkëpunuar. Kjo u shkakton kompanive humbje dhe harxhime shtesë që më tej përkeqëson likuiditetin e tyre.

Ndryshe, problemet me jolikuditetin në punën e biznesit në Maqedoni nuk janë rezultat vetëm i krizës politike, pasi kompanitë ballafaqohen me jolikuiditet kronik vite me radhë, ndërsa sektori publik gati çdo herë ka qenë problematik lidhur me pagesat e furnizimeve publike, vlerësojnë analistët ekonomik. Vonesat e pagesave të kompanive në pronësi të shtetit në vitet e kaluara që si trend vazhdon edhe sivjet, kurse këtë e konfirmojnë edhe hulumtimet e ndryshme.

Kompanitë që kanë marrë pjesë në tenderë apo prokurorime publike në vitin 2015 mesatarisht kanë pritur nga tetë muaj për pagesën e kërkesave të tyre, që është rritje për dy muaj në raport me vitin 2014, tregon hulumtimi i fundit i Qendrës për Komunikime Qytetare. Hulumtimi ka treguar gjithashtu se një të katërta e kompanive që marrin pjesë në tenderë presin ndërmjet 3 dhe 6 muaj për pagesë, 21.8 për qind presin ndërmjet 6 dhe 9 muaj, 19.8 për qind presin 1 deri 3 muaj, 17.5 për qind presin 9 deri 12 muaj, 9.3 për qind presin 1 deri 2 vjet dhe 4.7 për qind presin më shumë se dy vjet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu