Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind, duke e cilësuar atë si një tjetër goditje për qytetarët “dhe një favor të hapur për klikën mafioze të lidhur me pushtetin aktual.”
“Vendimi i sotëm i Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e serishme të çmimit të rrymës është një tjetër goditje për qytetarët e Kosovës dhe një favor i hapur për klikën mafioze energjetike të instaluar nga kjo qeveri,” ka shkruar Haradinaj.
Ai thekson se ZRRE-ja është shndërruar në një instrument në duart e Qeverisë Kurti dhe se nuk vepron më në interes të konsumatorit, raporton KosovaPress.
“Sot ka konfirmuar se është bërë mekanizëm për të justifikuar vjedhjen dhe keqpërdorimin në tregun e energjisë. Aferat me shitblerjen e rrymës nuk janë më vetëm dyshime – për to tashmë ka të dyshuar konkretë, njerëz të afërt me kryeministrin,” thekson Haradinaj.
Sipas tij, ndërkohë që shumë familje në Kosovë mezi përballojnë faturat mujore, persona të lidhur me pushtetin po përfitojnë përmes skemave të paligjshme.
“Ata që janë zhytur në këto afera do të japin llogari para drejtësisë,” përfundon reagimin e tij lideri i AAK-së.
Grupi i qytetarëve “Asnjë cent më shumë” ka protestuar ashpër sot kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike duke paralajmëruar ngritjen e një padie ndaj ZRRE-së dhe protesta të tjera javën e ardhshme.
Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.
Të hyrat maksimale për Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike janë 435 milionë euro, përkundër që kërkesa e tyre fillestare ishte 447 milionë euro. Ndërkaq, ZREE vendosi që të hyrat maksimale për KEDS për 2025 të jenë 180 milionë euro, ani pse kërkesa e tyre ishte 220 milionë. Në anën tjetër, të hyrat maksimale për KOSTT u vendos të jetë 88 milionë përkundër që kërkesa e tyre ishte 101 milionë euro.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, në mbledhjen e sotme nuk pranoi të jep një përqindje të saktë për rritjen e energjisë elektrike përkundër insistimit të madh të mediave.
Në ditën kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë mbajti mbledhjen për të vendosur për këtë çështje, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje sërish ZRRE-së që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike. Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike në këtë kohë rrezikon vendet e punës.
Veç tjerash, u ngrit shqetësimi edhe për procesin e shpejtë të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, për çka u kërkua që parlamenti të merret me këtë çështje. Bizneset dhe qytetarët, u tha në konferencë për media, se nuk duhet të paguajnë dështimet e institucioneve.