Si e ndryshojnë trurin tonë ëmbëlsirat dhe patatinat?

Ka një arsye pse dëshira për ushqime të ëmbla ose me shumë yndyrë duket shpesh më e fortë se ne. ”Në planin afatgjatë, këto ushqime modifikojnë trurin, duke e shtyrë atë t’i kërkojë gjithnjë e më shpesh në karrocën e supermarketit dhe t’i preferojë ato ndaj gjërave të tjera për të ngrënë”, shkruan focus.it.

Shkencëtarët në institutin ”Max Planck” për Kërkimin e Metabolizmit, duke punuar në bashkëpunim me Universitetin e Yales, pyetën veten nëse tërheqja ndaj ushqimeve të pashëndetshme është e lindur apo është pasojë e mbipeshës.

Ata zbuluan se kjo dëshirë e parezistueshme mund të mësohet dhe se trurit tonë i duhet relativisht pak për të mësuar të preferojë ushqime shumë të yndyrshme ose me shumë sheqer.

Siç shpjegohet në studimin e publikuar në ”Cell Metabolism”, studiuesit i ofruan një grupi vullnetarësh një puding të vogël shumë të pasur me sheqer dhe yndyrë, përveç dietës së tyre normale, çdo ditë për tetë javë.

Pjesëmarrësit e tjerë morën një puding me të njëjtat kalori, por më pak yndyrë.

Më pas, aktiviteti i trurit i të gjithë subjekteve u monitorua gjatë gjithë kohëzgjatjes së eksperimentit.

Pas tetë javësh, reagimi i trurit ndaj ushqimeve të pasura me sheqer dhe yndyrë u rrit ndjeshëm në grupin që konsumonte pudingun më pak të shëndetshëm.

Në veçanti, këto ushqime aktivizuan në mënyrë më të dukshme sistemin dopaminergjik, kompleksin e rrugëve nervore në tru përgjegjës për perceptimin e shpërblimit dhe motivimit.

”Matjet tona të aktivitetit të trurit treguan se truri ndryshon lidhjet e tij gjatë konsumimit të patatinave dhe ushqimeve të ngjashme. Në mënyrë të pandërgjegjshme mëson të preferojë këto ushqime që e kënaqin. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve ne do të përfundojmë duke preferuar gjithmonë në mënyrë të pandërgjegjshme ushqime që përmbajnë shumë yndyrë dhe sheqer”, shpjegon Marc Tittgemeyer, i cili drejtoi studimin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu