“Situata është serioze”, gazetari i medias gjermane komenton vizitën e shefit të CIA-s në Kosovë: Çka do të ndodhë?

Shefi i CIA-s William Burns, ishte për vizitë zyrtare disa ditore në tri shtete të Ballkanit – Bosnjë, Serbi dhe në Kosovë.

Vizitën e tij “të gjatë”, gazetari i medias gjermane Deutche Welle, Bahri Cani, e vlerëson si të rrallë. Por, sipas tij, tani situata është serioze, për shkak të kërcënimeve të përditshme.

Në postimin e tij në Facebook, Cani përmend takimet e Burns me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, me të cilin sipas tij, SHBA ka pasur fërkime serioze kohët e fundit, për shkak të urës së Ibrit, përcjell Bota sot.

Ai ka shtuar se shefi i CIA-s, pos ekonomisë, më shumë është interesuar për çështjen e sigurisë, ndaj ka theksuar se mbetet të shihet se si do të veprojë Qeveria për hapjen e urës së Ibrit.

Reagimi i plotë i Canit:

Shefi i CIA-s në Prishtinë, Beograd, Sarajevë….

Rrallë herë ndodh që shefi i CIA-s William Burns të shkojë në ndonjë vend apo rajon dhe të qëndrojë kaq gjatë si tani në Ballkan, e që flet shumë qartë se situata është serioze dhe se Amerika nuk e sheh krejt si shaka këtë punën e kërcënimeve të përditshme me konflikte e shkëputje atje. Në kohën kur gjërat po ziejnë në raport me Rusinë, me Lindjen e Mesme, Kinën etj, ai gjeti kohë disa ditë të qëndrojë në Ballkan, ndaj situata po kuptohet dhe duhet të kuptohet seriozisht. Fillimisht Burns e vizitoi Bosnjë-Hercegovinën (Sarajevën), ku u takua me krerët e këtij vendi dhe shumë hapur u shpreh (siç thonë burimet tona) kundër secesionizmave dhe shkëputjeve të serbëve. Interesante është që menjëherë pas takimeve të Burns atje, Dodiku doli me një fjali se gjoja ai “nuk planifikon ndarje nga B-H”. Më pas Burns shkoi edhe në Beograd ku u takua me Vuçiqin. Nga ky takim nuk dihet shumë, por thuhet se temat kryesore kanë qenë gjendja në rajon, B-H dhe Kosovë. Vuçiqi vetëm pak më vonë takoi ambasadorin rus në Beograd e më pas e ftoi edhe Dodikun në Beograd. Më në fund shefi i CIA-s shkoi edhe në Prishtinë ku u takua me presidenten Vjosa Osmani-Sadriu (me të cilën SHBA ka shumë pak mosmarrëveshje), shefin e AKI-së, e sot u takua edhe me kryeministrin Kurti, me të cilin ka pasur fërkime serioze kohët e fundit. Në takim ishte edhe ambasadori Hovenier, i cili këto ditë shumë hapur ka pranuar se ka mosmarrëveshje me Qeverinë e tanishme dhe Kurtin për punën e Urës së Ibrit.

Kryeministri Kurti lëshoi pas takimit një shpjegim ku tha se priti në takim Drejtorin e CIA-s, William Burns dhe se “kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – SHBA”. Ai nënvizoi përkushtimin e Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.

Kjo “vizita historike” e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, “vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.”

Kryeministri Kurti thotë se e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Ai thotë se e ka njoftuar madje edhe për rritjen e Bruto Produktit Vendor të Kosovës për 33% si dhe buxhetit shtetëror për 35% etj etj.

Burns është një diplomat që e njeh shumë mirë gjendjen në Ballkan dhe shumë rajone të tjera, por nuk e di sa e njeh ekonominë e Kosovës, ndaj është mirë që tani është njoftuar me këto gjëra. Por ai me siguri që më shumë është i interesuar për këtë aspektin e sigurisë, për çështjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe për raportet e mira mes Kosovës dhe SHBA. Për këto çështje tani për tani nuk ka shumë shpjegime, ndaj na mbetet të shohim nëse Qeveria do të mbetet në planet e saj për hapjen e shpejtë të urës për qarkullim normal, apo do të ketë ndonjë shtyerje eventuale, siç ka kërkuar SHBA, BE dhe NATO!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu