Ska marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës në Maqedoni, Deskoska tregon hapat që duhen ndërmarë

Dështoi edhe përpjekja e sontme mes pushtetit dhe opozitës për të përafruar qëndrimet për projektligjin për Prokurorinë.

Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska bashkë me zëvendësin e saj Oliver Ristovskin u takuan pasditën e sotme me përfaqësues të opozitares VMRO-DPMNE, por as ky takim nuk solli ndonjë sukses. Duke dalë nga Kuvendi, ku edhe u zhvillua takimi, Ministrja Deskoska i tha TV21 se negociatat kryesisht u përqëndruan rreth të ardhmes së lëndëve të hapura nga Prokuroria Speciale pas skadimit të mandatit, me qëllim, siç u shpreh ajo, që të mos ketë amnisti të fshehur.

“Folëm për personat që janë të punësuar në Prokurorinë Speciale, për prokurorët dhe për strukturën e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar. Nuk kemi ndonjë përafrim të veçantë. Shkëmbyem argumente por nuk erdhëm deri në ndonjë dakordim” tha Deskoska për TV21.

E pyetur për “planin B” të pushtetit në rast të mos arritjes së ndonjë marrëveshjes mes palëve, Ministrja e Drejtësisë u shpreh se të gjitha opsionet janë të hapura dhe se shteti patjetër e ka të mendojë për opsione në rast se nuk vihet deri tek sjellja e ligjit.

“Gjithsesi se opsioni ideal është që ta miratojmë ligjin, por nëse kjo nuk ndodhë, patjetër duhet të jemi të gatshëm edhe për opsione të tjera” përfundoi ajo duke thënë se shpreson që zgjidhja të gjendet deri më 15 shtator, atëherë edhe kur edhe me ligj PPS-së i skadon mandati.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu