Një ditë pas publikimit të anketës së televizionit maqedonas Telma mbi rejtingun e partive politike në Maqedoni, me ç‘rast Lëvizja BESA si një parti e re në politikbërjen maqedonase arriti të mposht BDI-në duke u rradhitur e para në listë, kanë vijuar një sërë komentesh nga analistë politikë dhe politikanë.
Ndër to është edhe nënkryetari dhe deputet i BESËS, Zeqirija Ibrahimi, i cili në një deklaratë për tesheshi.com. para se të shfaqë kënaqësinë mbi rezultatet e sondazhit në favor të partisë së tij, tregoi shqetësimin se LSDM si parti maqedonase përveç votave shqiptare në zgjedhje, edhe në sondazhin e fundit ka marrë një përkrahje të konsiderueshme nga shqiptarët. Madje sipas tij, nuk përbën lajm më fakti që Lëvizja BESA është para BDI-së.
“Anketa që doli dje në TV Telma është një dëshmi më shumë se, sikur në skenën politike të mos ishte Lëvizja BESA, shqiptarët mbase të gjithë do të turreshin në LSDM, kjo për shkak të dështimit 15-vjeçar të BDI-së. Prandaj, deshi ta pranojë ose jo dikush, Lëvizja BESA ishte ajo që e ndali – aq sa mundi – asimilimin politik të shqiptarëve. Prandaj, në vend se t’i gëzohemi faktit se ne jemi mbi BDI-në, sepse kjo nuk përbën më lajm – tashmë është e ditur për të gjithë, ne jemi të interesuar që edhe shqiptarët që e mbështesin LSDM-në të kthehen në kampin e partive shqiptare, në këtë rast të Lëvizjes BESA, dhe bashkërisht – si shqiptarë – ta bëjmë betejën e largimit të keqes së dytë, po aq të madhe të Maqedonisë, pra të BDI-së”, deklaroi Zeqirija Ibrahimi për tesheshi.
Ndërsa për politikologun Murat Aliu, rezultatet e anketës së djeshme në përgjithësi janë objektive dhe si të tilla reflektojnë disponimin real të qytetarëvë të Maqedonisë.
“Ngritja e Lëvizjes BESA pas rezultatit zgjedhor ishte e pritshme, sepse realishtë para zgjedhjeve të 11 Dhjetorit, shumë pak veta prisin një rezultat të tillë (pozitiv) dhe në këtë kontekst shumica e qytetarëve kishin një qasje skeptike ndaj aftësive dhe potencës politike të Lëvizjes BESA. Ndërsa tani pasi që qyetarët e panë që Lëvizja BESA vërtetë paraqet një parti serioze me një fryme të vërtetë opozitarizmi filluan ta marrën më seriozishtë këtë lëvizje dhe si rrjedhoj reshtohen prapa platformës dhe programit të saj politik. Arsyeja dyët që mundësoj ngritjen e Lëvizjes BESA është impotenca e politike dhe konsumimi i diskursit politikë që deri më tani mbante gjallë partinën në pushtet,pra BDI-në. Ndër të tjerash gjatë këtyre 2-3 viteve të fundit shumë individ dhe grupe të caktuara duke përdorur një narrativ të fuqishëm me të drejtë kanë sulmuar politikat të zbehta të BDI-së sa i përket përfaqësimit të denjë të shqiptarëve nëpër institucionet e shtetit. Mendoj që ky narrativ që ka qenë racional dhe ka gjeneruar këto rezultate” deklaroi për tesheshi.com Murat Aliu.
Sipas rezultateve të sondazhit, tashmë Lëvizja BESA është partia e parë shqiptare, me 3,5% përkrahje në nivel republikan ose 15,1% në bllokun politik shqiptar. Rënia e BDI-së së Ali Ahmetit ka vazhduar edhe pas zgjedhjeve. Ata tashmë janë partia e dytë me vetëm 3,3% përkrahje në nivel republikan ose 14,2% në bllokun politik shqiptar.
Aleanca për Shqiptarët ka 1,5% mbështetje në nivel republikan ose 6,7% në mesin e shqiptarëve, ndërkohë PDSH ka 2,2% në nivel republikan ose 10,2% në bllokun politik shqiptar.
Sondazhi është realizuar përmes telefonit në periudhën mes 4 dhe 10 shkurtit, në mënyrë rregullt me 1000 anketues./tesheshi.com/