Sot përfundon afati për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë në RKS

Sot përfundon afati për aplikim të pjesëtarëve të komunitetit serb për të konvertuar patentë shoferët e tyre të lëshuar nga institucionet serbe, në ato të Kosovës.

Në fillim të majit, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendimin për pajisjen e serbëve në Kosovë me patentë shoferë RKS – Republika e Kosovës. Vendimi hyri në fuqi më 9 maj dhe ishte paraparë të përfundonte më 9 gusht.

Por ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla kishte njoftuar se afati u zgjat deri më 23 gusht (sot) pasi sipas tij pati interes të madh për aplikim.

Deri më tani patentë shoferët i kanë konvertuar 6 mijë e 325 qytetarë.

6 mijë e 325 qytetarë, ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Policia e Kosovës kishte thënë se pasi të kalojë afati për konvertimin e patentë shoferëve, të gjithë drejtuesit e automjeteve që kanë këto dokumente të lëshuara nga Serbia, do të konsiderohen se janë duke e drejtuar veturën pa patentë shoferë.

Nga Policia kishin deklaruar se në përputhje me vendimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ndaj këtyre individëve do të shqiptohen gjoba, me mundësi të konfiskimit të automjeteve.

Shuma e gjobave, sipas ligjit, është nga 500 deri në 1.500 euro.

Procesit të pajisjes me patentë shofer të Kosovës i ka paraprirë procesi i riregjistrimit të veturave me targa serbe në targa RKS (Republika e Kosovës), sidomos për ato me regjistrimin KM.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu