Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë, Oliver Spasovski gjatë vizitës së sotme në njësitin policor në Rostushe, që është pjesë e komunës Mavrovë dhe Rostushë, ka promovuar stacionin bazë për fotografim të personave për nxjerrje të dokumenteve personale, që do të jetë i vendosur në stacionin policor në Rostushë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në njoftimin e kabinetit të Spasovskit, ministri i Brendshëm ka thënë se po realizohet një kërkesë e kamotshme e banorëve të kësaj komune, të cilët për një dokument personal, është dashur të udhëtojnë deri në Gostivar për tu pajisur me të njëjtat.
“Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për këtë rajon, por edhe për Gostivarin, pasi njësitit për Punë Administrative në Gostivar do ti shkarkohet barra”, ka thënë Spasovski.
Gjatë takimit me komandantët e policive të atij rajoni dhe me kryeshefin e policisë së Tetovës, Spasovski ka thënë se është e një rëndësie të veçantë që policët të jenë të kënaqur me kushtet e punës, për çka tha se pas një dekade, ka nisur një procedurë për furnizimin me uniforma të reja policore.