Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi është sqaruar në lidhje me kalimin e interpelancës ndaj deputetes Ilire Dauti, për funksionin e kryetares së Komisionit për politikë sociale, demografi dhe rini.
Gashi thotë se kalimi i interpelancës paraqet vetëm shprehje e deputetëve dhe se e njëjta nuk ka pasoja juridike detyruese për shkarkim.
“Sqarim lidhur me interpelancën ndaj deputetes Ilire Dauti
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot mbajti seancë plenare për ta trajtuar interpelancën për punën e deputetes Ilire Dauti, kryetare e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Seanca u mbajt në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Rregulloren e Kuvendit dhe ligjet në fuqi.
Raportimet e mediave të caktuara që sugjerojnë se rezultati i votimit të interpelancës obligon shkarkimin e zonjës Dauti janë të pasakta. Theksojmë se vota e interpelancës është shprehje e deputetëve dhe nuk ka pasoja juridike detyruese për shkarkim dhe nuk ka efekt juridik.
Emërimet dhe shkarkimet rregullohen nëpërmjet procedurave të tjera të veçanta të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, ligjet dhe Kushtetutën.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut mbetet i palëkundur në përkushtimin e tij për ruajtjen e integritetit institucional, respektimin e ligjeve, Rregullores, Kushtetutës dhe sigurimin e transparencës në të gjitha procedurat parlamentare”, thuhet në sqarimin e kryeparlamentarit.