Bashkëpunimi në mbrojtje mund të jetë shembull pozitiv se si zhvillohen marrëdhëniet mes dy shteteve, theksoi ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska në takimin me homologun e saj bullgar Todor Tagarev, në prag të takimit në Novo Sellë me kontingjentin nga Maqedonia e Veriut në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Bullgari.
Siç informojnë nga Ministria e Mbrojtjes, ministrja Petrovska ka biseduar me ministrin e mbrojtjes së Bullgarisë, Todor Tagarev, pas çka ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është jashtëzakonisht domethënës dhe se është në nivelin që i ka hije dy vendeve aleate në NATO.
“Sot, së bashku me homologun tim Tagarev, do të vizitojmë forcat tona shumëkombëshe që janë të stacionuara këtu në Bullgari dhe janë pjesë e pranisë së përforcuar të Aleancës së NATO-s në të gjithë territorin e saj. Jam i kënaqur që vitin e kaluar pata rastin të vizitoj zyrtarisht Bullgarinë për herë të parë, por edhe tani gjatë vizitës sime do të konstatoj se bashkëpunimi në mbrojtje mes dy vendeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe po zhvillohet ashtu siç i ka hije dy vendeve që janë anëtarë të aleancës së NATO-s”, tha Petrovska.