Kryetari i ASh – VLEN, Arben Taravari është mysafir në Click Plus në TV21. Ai ka komentuar deklaratën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti të thënë në Kumanovë, që nëse merr edhe një votë më pak se oponentët e tij, do të shkojë në shtëpi, duke menduar për pensionimin politik.
Taravari është kthyer në kronologji dhe deklaroi se Ahmeti shumë herë i ka humbur zgjedhjet, por arriti të qëndrojë në pushtet duke përçarë opozitën.
“Ali Ahmeti është duke i humbur zgjedhjet prej vitit 2011. Tre partitë shqiptare opozitare të atëhershme që nuk arritën të bashkoheshin, mendoj për RDK-në, DR-në dhe PDSh-në kishin shumë më shumë vota se sa BDI-ja. Praktikisht, mosbashkimi i këtyre partive shqiptare opozitare i mundësoi zotëri Ahmetit pak më shumë vota. 2016, Besa, RDK, LR-PDSh, Uniteti dhe PDSH-ja kishin shumë më shumë vota se zotëri Ahmeti, por përsëri ai arriti që me mekanizmat që i kishte të pamundësojë bashkimin e opozitës shqiptare. Praktikisht, edhe atëherë, nëse do të bashkohej opozita, do ta fitojnë me 20-30 mijë vota më shumë. 2020, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, të ishin bashkë edhe me Besën e cila atëherë shkoi bashkë në zgjedhje me LSDM-në, ju garantoj përsëri se zotëri Ahmeti dhe BDI do të ishin humbës. Dhe 2024, mos t’i merrte partitë e pakicave, rezultati do të ishte më pak se që kishte VLEN-i. Kështu që zotëri Ahmeti i ka humbur shumë herë zgjedhjet, por me mjeshtërinë e tij, me dinakërinë e tij ka arritur të krijojë përçarje në opozitën shqiptare dhe të pamundësojë bashkimin e partive opozitare shqiptare”, tha Taravari.