Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari nëpërmjet një postimi ne Fejsbuk ka përshëndetur iniciativën e siç e quajti ai Ali Ahmetin kreu i Frontit Problematik, për Veting.
Taravari tha se kjo është sjellja e parë e arsyeshme nga BDI, kjo siç shtoi ai është si rezultat se “djemtë” e tij që bënin rap dhe luanin futboll në zyrat Shtetërore, figurojnë të akuzuar nga Drejtësia vendore dhe ndërkombëtare, madje disa në arrati.
“Vetingu do të jetë një proces që do të ndajë shapin nga sheqeri në partinë tuaj. Vetingu do të provojë nëse janë të vërteta dosjet plot me akuza që gjenden në tryezat e Drejtësisë! Vetingu do të mund ndoshta të provojë pafajsinë e të arratisurve të tu, duke bërë që Ata të kthehen si heronj me këngë e valle! Vetingu do të sqarojë më në fund se si ministra dhe funksionarë të BDI-së kanë hyrë shumica si njerëz të zakonshëm të këtij vendi dhe pastaj janë shëndruar në Bosa Intelektualë me disa vila, disa makina, disa llogari bankar, në disa shtete…=
Vetingu do të mund të qartësojë njëherë e mirë nipa, mbesa, ministra e drejtorë të BDI-së vetëm në të 30-at e tyre kanë arritur të bëhen milionerë, ndërkohë që shumica e 30 vjecarëve në Maqedoni iknin nga papunësia, korupsioni dhe varfëria! Vetingu do të mund të zbardh fiset dhe farefiset mjaft të pasura tuajat ndërkohë që pjesa më e madhe e fiseve në këtë vend nuk është ashtu!
Mua babai im që i qoftë dheu i lehtë më la tokë dhe mall se jam djalë i vetëm, e di gjithë Gostivari, por mbi të gjitha më dhà shkollë dhe profesion. Kisha të ardhura shumë më të mira para se të futesha në politikë! Si mundet unë nuk po marr dot më shumë fitime tani që jam në Politikë kurse shumica juaj hyri e varfër doli multimilionere?!”, ka shkruar Taravari.
Taravari shtoi se sipas kësaj që kërkon Ahmeti shpjegohet se ai ka krizë paniku.
“Kështu z.Ahmeti, iniciativa për Veting është e shkëlqyer por me një korigjim të lehtë po substancial: leri Vetingun ta bëjnë të tjerët sepse vetëm kështu quhet Veting! Ja të ta shpjegoj kuptimin e fjalës: Është një fjalë angleze që daton andej nga shekulli i 17, shkurtim i emrit VETeriner e dmth të Kontrollosh!”, ka shkruar Taravari.