Pas zërave në opinion se në mbledhjen e fundit të koalicionit VLEN, Arben Taravari ka kërkuar të paktën 40 për qind të kandidatëve për komunat, gjë për të cilën ka hasur në kundërshtim të ashpër nga Bilall Kasami dhe se me këtë kanë filluar edhe pakënaqësitë në koalicionin VLEN, Taravari thotë se situata brenda VLEN-it është relativisht stabile, duke mos u përgjigjur konkretisht në pyetjen e gazetarëve rreth zhvillimeve brenda koalicionit VLEN.
“Kjo është irelevante për temën të cilën jemi duke e biseduar sot, mes bisedave të koalicionit ato janë tema politike, mendoj se sot më së shumti jam i fokusuar në temën e shëndetësisë. Në koalicionin VLEN, situata është relativisht stabile dhe edhe në koalicionin qeveritar gjithçka është në rregull deri më tani” – tha Taravari.
Jozyrtarisht thuhet se në mbledhjen e së hënës të liderëve të koalicionit VLEN, Taravari ka kërkuar mirëkuptimin e liderëve të VLEN-it deri më 6 prill, kur do ta mbajë Kuvendin e partisë, në të cilin do të vendosë se si do të veprojë më tej. Kjo kërkesë e Taravarit thuhet se vjen pasi ai ka kërkuar që koalicioni VLEN të garojë i ndarë në zgjedhjet lokale, për të cilën nuk ka hasur në gjuhë të përbashkët. Kujtojmë se ditë më parë, në opinion qarkulluan zëra se Arben Taravari dhe BDI-ja mund të kenë bashkëpunim para dhe gjatë zgjedhjeve lokale, për të cilët Taravari nuk është shprehur i prerë, edhe pse gjatë ditës së djeshme theksoi se nuk sheh asgjë të keqe nëse partitë politike komunikojnë mes vete, duke bërë të qartë për opinion se përveç me Ziadin Selën dhe Menduh Thaçin është në komunikim me të gjithë liderët e partive të tjera, përfshirë edhe Ali Ahmetin. /tvklan.mk