Tateshi: Lista e kontestueshme është rezultat i dështimit të regjistrimit të popullsisë, të kontribuojmë të gjithë që qytetarët të verifikohen

Kryetari i departamentit të shëndetësisë pranë LR-PDSH-së, Bekim Tateshi në një prononcim për Zhurnal thotë se KSHZ-ja është skajshmërisht e politizuar duke e zbehur punën që ka për detyrë ta zbatojë ky institucion shtetëror që është në shërbim të qytetarëve të Maqedonisë, gjegjësisht votuesve.

Tateshi shprehet se një ndër shkaqet kryesore për problemet që hasen në listën zgjedhore, është regjistrimi i popullatës, gjë që Maqedonia nuk ishte e aftë të dëshmojë se është në rrugën europiane sepse regjistrimi i popullatës dështoi. Sipas tij i vetmi qëllim i KSHZ-së është që të fshihen votuesit shqiptar dhe të eliminojnë një pjesë vitale të popullit (mërgimtarët) që njëherit janë motorri ekonomik i shtetit të Maqedonisë.

“Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) me veprimet e tij tregon dhe dëshmon se është institucion shtetëror tipik, skajshmërisht i politizuar që ngulfat punën profesionale dhe që e shndërron në një çerdhe të interesave të ngushta të partive apo koalicioneve parlamentare, duke harruar detyrën elementare për të cilën është formuar dhe pagohet nga buxheti i shtetit, i cili mbushet nga taksapaguesit, dmth. votuesve. Nuk e di a ka shtet në Europë apo diku tjetër, që mos mundet apo nuk është e aftë të bëj regjistrimin e popullatës, që direkt apo edhe indirekt ndikon në paraqitjen e problemeve te listat zgjedhore, por edhe në fusha tjera të funksionimit. Andaj në këtë mjegullnajë në mënyrë të pakuptimtë, KSHZ-ja në vend se të merret me rreth 300 mijë fantom-votuesit, ajo merret me rreth 40 mijë votues, shumica dërmuese shqiptarë edhe atë mërgimtarë. Në mënyrë perfide tenton t’i fshijë nga lista zgjedhore me të vetmin qëllim, eliminim të pjesës më vitale të popullit, motorin ekonomik, pa të cilin do ishim një shtet afrikan në Evropë. Partitë parlamentare shqiptare, BDI dhe PDSH, nën ndikimin e interesave të ngushta partiake edhe kësaj rradhe u humbën në labirintin e thurur nga trusëmurët më albanofob në historinë e re shqiptare”, ka deklaruar Tateshi duke shtuar se LR-PDSH ka ngritur aktivitete që sa më lehtë qytetarët të informohen se si duhet ta verifikojnë prezencën e tyre gjegjësisht votën e tyre. Ai apelon që të gjithë të japin kontribut për tejkalimin e këti problemi që shqiptarët të mos fshihen nga lista zgjedhore.

“Lëvizja për Reforma në konsultim me ekspertët juridik partiak ngriti iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për të penguar fshierjen e votuesve shqiptar që sipas të gjitha normave juridike në shtete demokratike është antikushtetuese dhe thyerje e të drejtës univerzale, të kesh mundësi të zgjedhish dhe të jesh i zgjedhur nga vota e popullit. Poashtu, LR PDSH-ja ka organizuar kujdestari në zyrat partiake ku qytetarët mund të marrin informacione dhe këshilla profesionale rreth listës zgjedhore dhe mënyrën se si mund të eliminohen padrejtësitë të shkaktuar nga dashakeqët faqezi.Është evidente se persona të papërgjegjshëm, me apo pa prapavijë, përhapin defetizëm ndër popullatë se zgjedhjet e ardhshme janë të kurdisura dhe se çdo tentativë për ndryshime është e kotë, me qëllim që të shkaktojnë huti ndër votuesit e kontestueshëm dhe në përgjithsi, që të zbatojnë urdhërat antikombëtare nga shefat e tyre. Këto janë dezinformata dhe skenare nga kuzhina më të detektuara antikombëtare dhe antinjerëzore, andaj APELOJ që të gjithë të japim kontribut për tejkalimin e këtij problemi të panevojshëm me qëllim që të jemi të gatshëm që në zgjedhjet e ardhshme, që do jenë edhe referendum për të ardhmen e fëmijëve tonë, të grushtojmë sahanlëpirësit e shumtë dhe t’i dërgojmë në histori me dënimin më të madh. Këtë e them me përgjegjësinë më të madhe si mjek, intelektual, shok, mik, prind…”, ka përfunduar për Zhurnal mjeku Tateshi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu