Djali shkon me vrap tek i ati dhe i tregon se donte të martohej me një vajzë shumë të bukur që kishte parë. “Më pëlqen shumë të martohem me atë vajzë, bukuria e saj më magjepsi baba” i tha të atit gjithë entuziazëm.
I gëzuar, i ati i tha:”Po mirë more bir. Ku është kjo vajzë që të shkoj dhe të kërkoj dorën e saj për ty?”
Pasi djali i tregoi, i ati u nis menjëherë. Kur e pa vajzën, ai mbeti pa fjalë dhe i tha të birit:”Dëgjo more djalë! Ajo vajzë nuk është për ty. As ajo nuk të meriton ty dhe as ti nuk e meriton atë. Ajo duhet të martohet me dikë që ka përvojë në jetë, me dikë ku mund të mbështetet, dikë si puna ime.”
Djali u befasua nga këto fjalë që dëgjoi nga i ati. Si ishte e mundur që i ati donte të martohej me vajzën që ai dashuronte?!
“Jo baba, do të martohem unë me atë vajzë, jo ti” iu përgjigj aty për aty.
Pas një debati të gjatë, të dy u nisën në stacionin e policisë, me qëllim që shefi t’ua zgjidhë këtë problem. Kur shefi e dëgjoi rastin, kërkoi që të shohë vajzën. “Ma sillni këtë vajzën këtu dhe ta pyesim nëse do të martohet me babin apo me djalin!” u tha ai.
Kur e pa shefi vajzën, u magjeps nga bukuria e saj dhe u tha:”Jo, jo. Kjo vajzë nuk bën për asnjërin nga ju të dy. Ajo duhet të martohet me dikë që ka një status shoqëror të lartë si puna ime.”
Tashmë u bënë tre persona që ziheshin se kush do të martohej me vajzën në fjalë. Të tre vajtën tek veziri dhe i qanë hallin. Kur e pa veziri vajzën, u tha:”Dëgjoni, një vajzë e tillë nuk bën të martohet veçse me një burrë shteti si puna ime.”
Të katër u përfshinë një konflikt, për zgjidhjen e të cilit kërkuan mendimin e vetë mbretit. Pasi i dëgjoi të katër, mbreti u tha:”Më sillni vajzën. Ajo duhet pyetur se me kë dëshiron të martohet.” Por, me ta parë mbreti, u tha:”Harrojeni. Kjo vajzë duhet të martohet vetëm me mbretër të sërës time.”
Tashmë u bënë pesë persona që donin të martohen me vajzën, secili e donte për vete. Në një çast, foli vetë vajza dhe u tha:”Dale dale! Përse nuk e zgjidhim ndryshe? Unë do të vrapoj dhe kush më arrin i pari, do të martohet me mua! Dakord?”
Të gjithë ranë dakord dhe vajza ia dha vrapit, sakaq pesë burrat shkumonin vrap pas saj; djali, babai i tij, shefi i policisë, veziri dhe mbreti.
Në një moment, të pestë bien me një gropë të thellë, nga e cila nuk dilnin dot. Vajza u afrohet dhe u thotë:
A e morët vesh tani kush jam unë? Unë jam kënaqësitë e shfrenuara të kësaj bote. Pas meje rendin të gjithë njerëzit, ata zihen, rivalizojnë njëri-tjetrin dhe zhyten gjer në grykë në ligësi. Megjithatë, asnjëri nuk më arrin dot. Ata rendin pas meje, derisa të ndahen nga kjo botë dhe të bien në gropën e varrit.