Të paktën 19 të vdekur në Bosnjë, përmbytje në Shqipëri, Kroaci, Serbi e Mal të Zi

Stuhi e fuqishme, me reshje shiu e erëra të forta, ka goditur rajonin. Në Bosnjë-Hercegovinë kanë mbetur të vdekur të paktën 19 persona, teksa ekipet e shpëtimit kanë kërkuar ndihmën e ushtrisë për të depërtuar në zonat e bllokuara nga përmbytjet. E në vende të tjera, u dha alarmi për kushte ekstreme të motit.

Të paktën 19 persona kanë vdekur pasi qytete e fshatra të shumta të Bosnjë-Hercegovinës janë përmbytur, si pasojë e stuhisë së fuqishme me shi dhe erëra që goditi pjesën qendrore dhe atë jugore të vendit, gjatë natës të enjten.

Komuna e Jabllanicës, rreth 70 kilometra larg kryeqytetit Sarajevë, është bllokuar pothuajse tërësisht, pasi rrugët dhe linjat hekurudhore janë dëmtuar nga vërshimet.

Darko Jukan, zëdhënës i administratës lokale në rajonin e Hercegovinës, ka bërë të ditur se krahas viktimave, në rajonet e goditura ka dëme të shumta materiale dhe i ka paralajmëruar qytetarët që të shmangin udhëtimet nga Jabllanica për në Konjiq.

“Jemi informuar se disa ura janë përmbytur, se rrugët që shpien në drejtim të Risovces dhe Ramas janë shkatërruar dhe se ka rrëshqitje dheu nga Konjiqi drejt Mostarit. Apeli që duhet ta përçoj në këtë moment është që asnjë qytetar, në asnjë rrethanë, nuk duhet të niset drejt Jabllanicës dhe Konjiqit”, ka theksuar zëdhënësi Darko Jukan.

Autoritetet kërkuan që vullnetarët dhe ushtria t’i asistojnë ekipet e shpëtimit në hapjen e rrugëve dhe në sigurimin e qasjes te shtëpitë që kanë mbetur pa furnizim me rrymë.

“E kemi kontaktuar nivelin më të lartë të qeverisjes dhe kemi kërkuar ndihmë. Kërkuam ndihmë edhe nga forcat e armatosura. Aktualisht po punojmë edhe në aktivizimin e një helikopteri për të ndihmuar në shpëtimin e një fëmije në Jabllanicë”, ka deklaruar Marija Buhaq, kryetare për rajonin e Hercegovinës

Josip Kalem, një banor i Fojnicës, një nga qytetet e goditura nga përmbytjet, ka theksuar se lehja e qenit të tij e zgjoi atë rreth orës 4 të mëngjesit. Ai ka thënë se kur doli në tarracë, pa ujin duke u ngritur me shpejtësi.

“Zbrita, zgjova gruan time dhe shikuam përreth, nuk mund të dilnim nga shtëpia. Pamë gjithnjë e më shumë ujë”, ka treguar ai.

“Papritur, uji vërshoi garazhin, bodrumin, makinën time – gjithçka. Uji i mori të gjitha, duke përfshirë edhe qenin tim”.

Andja Milesic, një tjetër banore e Fojnicës, ka deklaruar gjithashtu se ajo u kap në befasi në mes të natës.

“Kur u zgjova, dyshemeja ime e dhomës së gjumit ishte tashmë e lagur. Hyra në korridor – ujë ishte kudo – në dhomën e ndenjes, kudo”, ka theksuar ajo. “Ishte e tmerrshme”.

Shkaku i situatës, qeverisja në Federatën boshnjako-kroate shpalli gjendje të emergjencës natyrore.

Përveç në Bosnjë, përmbytje pati të premten edhe në Kroaci, ku autoritetet lëshuan paralajmërimin për kushte ekstreme të motit në zonat përreth brigjeve detare. Paralajmërime të ngjashme u bënë edhe në Mal të Zi dhe në Serbi.

E në Shqipëri, reshje të dendura shiu pati në disa qytete, përfshirë Tiranën dhe Durrësin, ku për pasojë është rënduar qarkullimi në trafik.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu