Të shtunën nis fushata për zgjedhjet e 13 dhjetorit

Të shtunën fillon fushata zgjedhore për kryetarë komunash në Shtip dhe Pllasnicë. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve përgatitet që dy ditë para datës zyrtare të zgjedhjeve, më 11 dhjetor të votojnë personat me vendim për izolim. Për në Shtip, KSHZ-ja përgatit pesë këshilla të posaçëm zgjedhor të cilët do të realizojnë votimin e këtyre personave. Shtipi aktualisht është ndër komunat më të prekura nga virusi korona me mbi 470 raste aktive. Si në zgjedhjet e kaluara, ashtu edhe në këto zgjedhje ne kemi miratuar udhëzues me të cilin parashikohet që këtë votim ta zbatojë këshilli i posaçëm zgjedhor i përbërë nga personal mjekësor. Ministria e Shëndetësisë na ka dorëzuar informacionet për personalin mjekësor. Siç e shihni, secilën ditë kemi më shumë raste pozitive ose njerëz në izolim”-tha Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.

Në komunën e Pllasnicës, si pasojë e numrit më të ulët të personave në izolim, do të ketë vetëm një këshill të posaçëm zgjedhor. Personat e infektuar dhe ata me vendim për izolim do të mund të paraqiten në formë elektronike për të kërkuar të realizojnë të drejtën e votës. Afati për paraqitjen e tyre skadon një javë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, 13 dhjetorit.

Në komunën e Shtipit në garë për kryetar janë pesë kandidatë kurse në atë të Pllanicës janë dy. VMRO-DPMNE-ja vendosi të mos kandidojë asnjë kuadër të saj, pasi nuk u pranua kërkesa për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve.

Kërkesë që zgjedhjet në Shtip dhe Pllanicë të shtyhen dhe të mbahen në afatin e zgjedhjeve të rregullta në tetor të vitit të ardhshëm kishte bërë edhe opozita shqiptare. Pushteti refuzoi kërkesën duke thënë se opozita kërkon të pengojë proceset demokratike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu