Qeveria parashikon që maternitetet në qytetet tjera të Maqedonisë do të ofrojnë shërbime kualitative sikur ajo e Shkupit. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe doli me disa masa për të zvogëluar numrin e vdekjeve të foshnjave të posalindura. Masë tjetër është edhe dërgimi i pacientëve në institucionin shëndetësor më të afërt që do t’u ofrojë shërbimet më adekuate. Minsitri theksoi se numri më i madh i vdekjeve të foshnjave vjen nga mos-shkuarja e grave në gjinekolog.
“Kur bëhet fjalë për vdekshmërinë e të posalindurve dua të potencoj se ajo në masë të madhe vjen si pasojë e kujdesit joadekuat shëndetësor nga ana e nënës derisa është shtatzënë”, u shpreh Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Ai apelon që gratë shtatzëna të shkojnë me rregull në kontrolle gjinekologjike.
“Për fat të keq shkuarja në gjinekolog dhe në kontrolle të rregullta gjinekologjike te një pjesë e grave është ende tabu. – Apeloj tek të gjitha nënat të jenë më të përgjegjëshme, më shpesh dhe pa përjashtim të shkojnë në kontrolle gjiinekologjike”, tha Venko Filipçe.
Por si duket ministri ka harruar se më shumë se gjysma e komuanve në vend, nuk kanë gjinekologë amë, raporton Tv21.tv
“Ajo që po mundohemi të bëjmë është që të krijojmë një rrejt që edhe ato gra që nuk kanë gjinekolog në komunën e tyre, të gjejmë zgjidhje se ku të shkojnë dhe njëkohësisht punojmë edhe në formimin e ekipeve gjinekologjike mobile. Këto janë ekipet që do të vizitojnë gratë që sapo kanë lindur atje ku nuk ka gjinekolog amë”, shtoi ai.
Edhe sipas një hulumtimi të bërë nga BIRN, nga 80 komuna, në 45 prej tyre nuk ka gjinekolog amë, ndërsa në 25 komuna tjera ka kuadër jo të mjaftueshëm. Ministria vitin e kaluar kishte disa shpallje për 47 vende pune, por interesi për këto vende pune nuk ishte i madh.
Për të ngritur interesin e mjekëve për të qëndruar në Maqedoni ministri Filipçe njoftoi se nga gjysma e dytë e vitit do të ketë rritje të rrogave prej 5%, ndërsa me ribalancin e buxhetit, këto rroga do të rriten edhe më shumë. Ai gjithashtu paralajmëroi se nga muaji mars do të fillojnë të paguhen edhe specializantët.
Ndryshe, për shkak të mungesës së kualitetit, kushteve dhe kuadrit të pamjaftueshëm, në shumicën e rasteve klinikat e tjera për lindje i dërgojnë pacientët në Shkup, ndërsa kjo bën që numri i parashikuar i kapaciteteve të klinikës në Shkup prej rreth 3000 lindjeve në vit, të dyfishohet.