Në pyetjen se, nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare, a do të vazhdonte ky koalicion mes Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët, Afrim Gashi nga Lëvizja BESA tha se nëse deri atëherë koalicioni i posa formuar vazhdon këtë rrugë të mbarë, atëherë padyshim që edhe në zgjedhjet parlamentare do të ishte padyshim koalicioni fitues.
“Tash jemi para një akti tjetër që është shumë i rëndësishëm, menaxhimi me komunat që do të duhet të përcaktohet për katër vitet e ardhshme. Shumë është e rëndësishme që tani të bëhet ndryshimi i kuadrove të BDI-së nëpër komuna dhe këto të zëvendësohen me kuadro të Aleancës dhe të BESËS. Ky do të jetë një test i mirë edhe për ne si subjekte politike, edhe për qytetarët që ta shohin ata se si menaxhojnë me komunat dy subjektet e reja politike dhe do të mund ta bëjnë dallimin me atë se si i ka menaxhuar komunat BDI-ja”, deklaroi Gashi.
Nga ana tjetër nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri, tha se ASH asnjëherë ska qenë kundër unifikimit të qëndrimeve të partive politike shqiptare. Ai shtoi se nuk sheh asnjë pengesë që koalicioni i Aleancës me BESËN të vazhdojë.
“Këto zgjedhje do të jenë një sprovë dashamirëse e funksionimit të dy subjekteve politike, qoftë lidershipit, strukturave por edhe aktivistëve. Dhe sa i takon Aleancës për Shqiptarët, nuk shoh asnjë pengesë që të vazhdon koalicioni me Lëvizjen BESA edhe për garat e tjera zgjedhore”, deklaroi Aziri në emisionin ‘Studio e hapur’ në TV Shenja.