Tentim për vrasjen e kancelares Merkel, kapet i dyshuari

Policia çeke njoftoi se ka arrestuar një person, që dyshohet se ka tentuar të vriste Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel.

Sipas mediave ndërkombëtare, një person i armatosur që udhëtonte me Mercedes të zi, i’u afrua eskortës së Merkel dhe u përpoq të depërtonte tek makina e Kancelares gjatë udhëtimit të kësaj të fundit për në Pragë.

Zëdhënësi i Policisë së Çekisë tha se i dyshuari është arrestuar. Ngjarja është duke u hetuar nga detektivët e Pragës, shkruan Syri.net.

Merkel ka qenë për një vizitë një ditore në Pragë ku u takua me Kryeministrin Bohuslav Sobotka. Gjatë takimit me homologun çek, Kancelarja e Gjermanisë u prit me protesta nga qytetarët.

Automjeti i dyshimtë me të cilin udhëtonte i arrestuari, u shfaq gjatë kohës që autokolona e Merkel po i drejtohej periferisë së qytetit pasi ishte nisur nga aeroporti.

“Shoferi i Mercedesit nuk iu bind urdhrave të makinave të policisë që shoqëronin Merkelin. Ai ndaloi vetëm pasi policia e paralajmëroi se ishte gati për ta qëlluar”, thuhet në njoftimin e policisë çeke./syri


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu