“Tentuan të shtynin fizikisht Osmanin”, reagon Presidenca: U thyen rregullat ndërkombëtare

Bekim Kupina, zyrtari për media në Presidencën e Kosovës ka reaguar pas incidentit të papritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku sigurimi i këtij aeroporti tentoi të merrte telefonin personal presidentes Vjosa Osmani.

Bekim Kupina tha se veprimet e zyrtarit të sigurimit dukeshin se kishin për qëllim të provokonin delegacionin e Kosovës dhe të shkaktonin ndonjë incident.

Ai shtoi se presidentja nuk e lejoi një gjë të tillë, pasi do të kishte qenë një shkelje e rëndë e protokollit.

Pas incidentit, Aeroporti i Shkupit nuk lejuan aeroplanin komercial të nisej për më shumë se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejonte nisjen.

“Kabineti i presidentes e kontaktuar palën sllovene, e cila e mohoi këtë informacion,” tha Kupina, duke shtuar se presidenca e konsideron çdo trajtim të tillë si një sulm ndaj vetë shtetit të Kosovës.

“Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka trajtuar në këtë mënyrë presidentët e vendeve të tjera dhe nuk do ta lejojë një situatë të tillë,” përfundoi Kupina.

“Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal. Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse.

Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident. Presidentja e ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit z.Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar. Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim.

Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar. Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundershtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në menyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë”, theksohet në reagimin e plotë të Kupinës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu