Si pasojë e serisë së tërmeteve dyditore që e kanë dridhur Shkupin dhe rrethinën, shumë objekte kanë pësuar nga dridhjet e fuqishme, që kulmuan të dielën me tërmetin prej 5.3 shkallë sipas Rihterit, raporton Portalb.
Rreth 500 paraqitje për lajmërim të dëmeve të objekteve në serinë e tërmeteve në rajonin e Shkupit, që kanë filluar nga pardje në mëngjes, janë regjistruar deri më tani në Qendrën për Menaxhim me Kriza (QMK).
Paraqitjet, siç informojnë nga QMK, në pjesën më të madhe parashtrohen në fasada të shembura, çati të dëmtuara, xhama të thyera, automjete të dëmtuara.
Në mesin e shumë objekteve, është edhe Shkolla Fillore që gjendet në Komunën e Çairit, “Jashar Bej Shkupi”, e cila ka pësuar disa të çara si pasojë e lëkundjeve të fuqishme dyditore.
Përndryshe, Instituti për Inxhinieri Tërmetesh dhe Sizmologji Shkup (IITSSH), me propozim të Komitetit Drejtues për menaxhim me kriza sot i ka vizituar disa shkolla dhe çerdhe në Shkup për t’i parë dëmet dhe pasojat e mundshme pas serisë së tërmeteve të dy ditëve të fundit, por edhe për panikun që është shkaktuar te qytetarët.
Ata kanë vizituar disa objekte, ndërkaq në disa shkolla për shkak të dëmeve nga tërmetet, u është ndaluar që të shfrytëzojnë një pjesë të objektit të tyre ose disa mësonjëtore, transmeton Portalb.
“Në dy mësonjëtore panë se pas tërmetit ekziston rrezik për mbajtjen e mësimit, për atë i ndaluam për përdorim. Na lajmëruan se raportin do ta dërgojnë te Komuna Qendër e cila duhet t’i rinovojë ato mësonjëtore”, deklaroi drejtori i shkollës, Vasko Llazarevski, i cili ka paralajmëruar se për shkak të problemit me hapësirat do të duhet patjetër që të bëhet riorganizim i nxënësve që të njëjtët të shkojnë në dy ndërrime.
Gjithashtu mësohet se të gjitha aktivitetet jashtëshkollore në Shkup janë anuluar. Në mesin e tyre edhe aktivitetet e ndryshme sportive, grupet e valleve, kurset e gjuhëve të huaja etj.
Për shkak të tërmeteve mësim nuk do të mbahet, gjithashtu edhe në shkollat fillore “Adem Jashari” dhe “Hasan Prishtina”, si dhe në çerdhen “Fidani”./portalb