Tërmeti në Istanbul, të paktën 151 të plagosur në incidente të shkaktuara nga paniku

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 ka goditur Istanbulin, duke plagosur të paktën 151 persona në incidente të shkaktuara nga paniku, asnjë prej të cilëve nuk pësoi plagë të rrezikshme për jetën, raporton Anadolu.

Sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), epiqendra e tërmetit ishte në lagjen Silivri të Istanbulit.

Tërmeti goditi në orën 12:49 me orën lokale dhe u ndje fuqishëm në të gjithë Istanbulin ku banojnë mbi 15 milionë njerëz, duke çuar banorët të largohen nga ndërtesat të frikësuar.

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya, njoftoi se tërmeti ndodhi në një thellësi prej afër 7 kilometrash dhe zgjati 13 sekonda.

Zyra e guvernatorit tha se 151 qytetarë u plagosën pasi nga paniku u hodhën nga lartësitë dhe se trajtimi i tyre po vijon në spitale dhe asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën.

Dy dridhje të tjera, të dyja me magnitudë 4.9 ballë, pasuan tërmetin kryesor, fillimisht në ora 13:02 dhe përsëri më vonë në ora 15:12 me orën lokale, me epiqendër në brigjet e Büyükçekmece-s në Detin Marmara.

AFAD tha se pas vlerësimit të raportimeve të marra nga Qendra e Thirrjeve Emergjente 112, aktualisht nuk ka raportime për viktima apo shkatërrime.

Agjencia turke tha se të gjitha institucionet përkatëse dhe ekipet e reagimit janë mobilizuar dhe skanimet në terren ishin duke u zhvilluar për të vlerësuar dëmet e mundshme dhe për të garantuar sigurinë publike.

Zyra e guvernatorit të Istanbulit tha se deri më tani “nuk është marrë asnjë raport për shkatërrime” dhe se njësitë përkatëse po vazhdojnë përpjekjet e tyre të skanimit në terren.

Zyra e guvernatorit paralajmëroi qytetarët që të mos hyjnë në ndërtesat që janë dëmtuar ose që dyshohet se janë dëmtuar nga lëkundjet e tërmetit, të shmangin përdorimin e automjeteve nëse nuk është e nevojshme dhe të përmbahen nga përdorimi i rrjeteve celulare përveç rasteve emergjente.

Gjithashtu edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi se “po monitorojmë nga afër zhvillimet”.

Sipas Drejtorisë së Komunikimeve, Erdoğan u informua për tërmetet nga ministri i brendshëm, ministri i mjedisit dhe ministri i shëndetësisë, si dhe kreu nga kreu i AFAD-it dhe guvernatori i Istanbulit.

“Fatmirësisht, nuk duket se ka situatë shqetësuese për momentin”, tha Erdoğan.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu