Thaçi refuzon propozimin e Ahmetit, kërkon 23 deputetë

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka refuzuar propozimin e BDI-së lidhur me Njësinë zgjedhore numër 6.

Partia e Ali Ahmetit javën e kaluar doli me dy propozime: ndryshim të kufijve të njësisë së gjashtë zgjedhore, që parasheh transferim të krejt komunës së Dibrës në njësinë e pestë zgjedhore. Propozimi i dytë i BDI-së është për revidim të gjitha njësive, respektivisht gjashtë njësive zgjedhore. PDSH në takim qartë ka precizuar se për ta propozimi i BDI-së është i papranueshëm. “Propozojmë që në vend të dallimit aktual plus-minus pesë për qind votues nëpër njësi zgjedhore, ky dallim të zvogëlohet në plus-minus një për qind. Kjo do të thotë ndryshim të kufijve të gjitha njësive zgjedhore dhe me këtë numri i votuesve nga një njësi nuk do të ketë shumë dallim në krahasim me njësitë tjera. Propozimi tjetër është që të mos ndryshojnë kufijtë e njësive zgjedhore, por varësisht nga numri i votuesve të zgjedhjet edhe numri i deputetëve”, deklaroi Imer Aliu, transmeton Gazeta Lajm.

Në rast të tillë, sipas PDSH-së, në njësinë numër gjashtë do të duhej të zgjedhen 22 deri 23 deputetë, kurse në njësinë e tretë dhe të katërt zgjedhore, që janë në kufirin e minusit të lejuar, të zgjedhen 17 deri 18 deputetë.

Sipas Aliut formimi i Grupit Punues është humbje e kotë e kohës, sepse partitë nuk kanë vullnet për zgjidhje të këtij problemi dhe në fund VMRO, BDI dhe LSDM do të miratojnë zgjidhje e cila u konvenon atyre.

Zgjidhje për njësinë e gjashtë zgjedhore do të duhet të gjejë grupi punues.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu