Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dorëzoi sot në parlament projektligjin për ndryshimin e misionit të Forcave të Sigurisë së Kosovës nga një forcë civile, në një forcë me përgjegjësi mbrojtëse e ushtarake
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” pas dorëzimit të projektligjit, ai tha se do të dëshironte që ky proces të mbështetej edhe nga përfaqësuesit politikë të komunitetit serb në Kosovë, që siç tha ai, po pengohen nga Beogradi.
Presidenti Thaçi tha se tashmë hapat e parë janë bërë në kuptimin zyrtar institucional, duke shtuar se nesër Kryesia e Kuvendit do të shqyrtojë këtë çështje dhe do t’ua dërgojë Qeverisë për të dhënë mendim.
“Kryesia e Parlamentit nesër do të shqyrtojë këtë çështje, do t’ia dërgojë qeverisë së Kosovës për të dhënë mendim dhe unë dua të besoj që në ditët e ardhshme, më së largu javën e ardhshme, do të dërgohet për votim në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se “nuk ka anëtarësim të Kosovës në NATO, pa ushtri”.