Thirrja për veting Mickoskit i duket humor dhe satirë, Ahmeti e sfidon: Unë s’bëj filma, le ta provojmë si do të dalë!

Me ton të lartë e me thirrje të ashpër, kreu i BDI-së Ali Ahmeti dje i ftoi të gjitha partitë t’i kyçen thirrjes për veting për të gjithë politikanët në tridhjetë vitet e fundit. Në konferencën e përbashkët të Frontit Europian, Ahmeti theksoi se shqiptarët janë përjashtuar nga privatizimi i ndërmarrjeve ndërsa të gjitha kanë përfunduar në menaxhim nga politikanët e atëhershëm të vendit.

“Vendit i duhet veting, urdhëroni të bëjmë veting! VMRO, VLEN, VREDI, krejt sa jeni, hajdeni LSDM të bëjmë për të gjthë funksionarët, prejardhjen e pasurisë së tyre por nuk u’a mbanë. Se kanë hyrë leckamana e janë bërë milionera e miliardera”, tha Ali Ahmeti.

Por kryeministri Hrisitjan Mickoski, thirrjen e Ahmetit e quajti humor dhe satirë.

“Unë mendoja se me shkuarjen e BDI-së në opozitë, do të përfundojnë lloje të tilla të humorit dhe satirës por ja që ata ende vazhdojnë. Do të dëgjojmë ende në periudhën që vijon humore dhe satira të tilla dhe të shohim se deri ku do të arrijnë”, tha Hristijan Mickoski.

Ahmeti iu kundërpërgjigj. E fton Mickoskin ta provojnë, e ta shohin nëse do të dalë humor. Shton se nëse bëhet vetingu, të bëhet me pjesëmarrje të Brukselit dhe Uashingtonit.

“Le ta provojmë humorin se si do të dalë. Unë kam bërë thirrje jo tash, por ka vite. Ligji për veting është në sirtarët e Kuvendit të RMV-së i propozuar para katër vitesh. Le të hapet hetim për të gjitha partitë politike në vend për 23 vitet e fundit të ekzistencës edhe të BDI-së dhe të shohim humorin se si do të shkojë. Filma të holivudit nuk bëj këtu dhe nuk jam skenarist i holivudit”, deklaroi Ali Ahmeti.

Thirrjen për veting e komentuan edhe nga koalicioni VLEN.

“Kur BDI dhe satelitët e saj flasin për folklorizëm dhe patriotizëm të rrejshëm, gjithmonë është e vërteta ajo që i godet në fytyrë. Kur Ahmeti flet për vetingun, ia kujtojmë se kuadri i tij shumëvjeçar, Ixhet Memeti, është pikërisht ai që i bëri veting partisë së tij përmes marrëveshjes me prokurorinë abaziane”, thotë VLEN

Përndryshe vetingu ishte pjesë e programit për qeverisje të BDI-së për mandatin 2020/2024 në zgjedhjet parlamentare të 2020-tës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu