Ministrja për vetëqeverisje lokale Shiret Elezi, së bashku me kreun e delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë, Samuel Zhbogar dhe zëvendës kryeministrin çështje evropiane Arbër Ademi sot në konferencë për shtyp informuan për kushtet që kanë të bëjnë me aplikimin për thirrjen e parë për projekte për bashkëpunim ndërkufitar midis Republikës së Maqedonia dhe Shqipërisë.
Thirrja publike u shpall më 16 shtator, ndërsa nga Bashkimi Evropian janë vënë në dispozicion 2.890.000 euro për projekte për të dy vendet, transmeton InfoShqip.com.
Bazuar në objektivat dhe prioritetet që tashmë janë të përcaktuara në Program, thirrja publike u referohet projekteve që rrisin mundësitë e biznesit për ofruesit e shërbimeve lokale dhe operatorët në sektorin e turizmit, për nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë, mirëkuptimin dhe respektin, mbrojtjen e trashëgimisë dhe vlerat kulturore, që inkurajojnë zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe rritjen e kapaciteteve të tyre për identifikimin e tregjeve të reja, si dhe projektet për të rritur ndërgjegjësimin e publikut dhe njohurive për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe mjedisit jetësorë.
– Bazuar në përvojat nga realizimi Programit të parë për bashkëpunim ndërkufitar me Shqipërinë, pres projekte cilësore dhe zbatimin e tyre të suksesshëm. Në suaza të periudhës së parë programore 2007-2013, përmes instrumentit IPA janë financuar 51 projekte për bashkëpunim ndërkufitar midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, në vlerë të përgjithshme prej 7,2 milionë euro, theksoi ministrja Shiret Elezi
Ministrja Elezi nënvizoi se në periudhën e parë programore, kemi arritur të realizojmë rreth 85 për qind të mjeteve që i kishim në dispozicion përmes instrumentit IPA të destinuara për bashkëpunim ndërkufitar.
Të inkurajuar nga kjo përvojë, ne synojmë që në periudhën e dytë programore të arrijmë shkallën e realizimit prej mbi 90 për qind. Për këtë qëllim, ftoj të gjithë shfrytëzuesit e mundshëm të marrin pjesë me projekte konkurruese dhe inovative, theksoi Elezi.
Thirrja publike është e hapur deri më 1 nëntor, ndërsa për informacione të mëtejshme për subjektet e interesuara gjatë këtij dhe muajin e ardhshëm do të organizohen disa takime informative në të dy vendet.
Të drejtë aplikimi kanë pothuajse të gjitha subjektet jo-fitimprurëse, siç janë:
– Institucionet e sektorit publik, komunat, agjencitë.
– Organizatat e shoqërisë civile, shoqatat profesionale, dhomat e tregtisë, dhomat e zejtarisë, shoqatat e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme,
– Qendrat për menaxhimin e krizave, parqet kombëtare, qendrat kërkimore,
– shkollat fillore dhe të mesme, shkollat profesionale, universitetet,
– Muzetë, bibliotekat, institucionet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si dhe
– ndërmarrjet publike, shërbimet e zjarrfikësve dhe subjektet tjera jofitimprurëse.