TIKA, investim prej 2 milionë euro në shëndetësinë e Kosovës

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) sot filloi punimet për Projektin e renovimit dhe furnizimit me pajisje në kuadër të instalimit të Njësisë së Kujdesit Intensiv në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHKUK), i cili do të kushtojë rreth 2 milionë euro, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë rast të pranishëm ishin ministri i Administratës Publike, Mahir Yağcılar, zëvendësministri i Shëndetësisë Kadir Hyseini, Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, koordinatori i TIKA-s për Kosovë Necip Özay Özütok, drejtori i Institutit Yunus Emre në Prishtinë, Mehmet Ülker si dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHKUK-së, Curr Gjocaj.

Gjatë fjalimit të tij, zv/ministri Hyseini tha se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për popullin e Kosovës, ku do të ketë një Kujdes Intensiv modern, me 27 shtretër, për të cilin do të investohen 2 milionë euro.

“Falënderoj në radhë të parë qeverinë turke, pastaj angazhimin e ambasadores dhe të ministrit Yağcılar për këtë investim dhe të gjithë akterët që u angazhuan për që ky projekt të fillojë sa më shpejtë dhe që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi të trajtohen në këtë repart”, tha zv/ministri Hyseni.

Kurse Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kılıç tha se ky projekt është njëri prej shembujve më konkret të bashkëpunimit të ngushtë mes Kosovës dhe Turqisë.

Ajo bëri të ditur se ky projekt do të përfundojë në një afat të shkurtër kohor, prej 150 ditësh. “Ne si shtet i Turqisë, si deri më sot ashtu edhe në të ardhmen do të vazhdojmë që ta përkrahim Kosovën, këtë shtet mik, sidomos në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë, në mënyrë që Kosova të arrijë nivelin më të lartë të modernizimit dhe të zhvillimit të shtetit, si dhe të arrijë në një të ardhme shumë të ndritshme”, tha ajo.

Në anën tjetër, drejtori i SHKUK-së, Curr Gjocaj u shpreh se ky është një investim i domosdoshëm për Qendrën Klinike Universitare dhe theksoi se me përfundimin e projektit pritet që të ketë kushte shumë të mira për pacientët.

Duke falënderuar ambasadën dhe qeverinë e Turqisë, Gjocaj tha se “Pritet që ky investim të jetë bashkëkohor, me të gjitha standardet, përpos renovimit të komplet këtyre hapësirave në rreth 900 metra katrorë, do të vijnë edhe aparaturat e reja. Pra, do të dorëzohet me çelësa me të gjitha ato që i duhet një mjekimi intensiv, ku në këtë repart do të shtrohen të gjithë pacientët me gjendjen më të rëndë shëndetësore prej të gjitha klinikave”.

Ndërkaq, ministri Yağcılar tha se ky projekt ka rëndësi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe falënderoi qeverinë e Turqisë, duke vënë në dukje se pas periudhës së përfundimit të punimeve do të ketë një njësi moderne që do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ambasadorja Kılıç po ashtu bëri të ditur se në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrive të Shëndetësisë së këtyre dy shteteve, çdo vit 100 të sëmurë nga Kosova trajtohen në Turqi.

Ajo theksoi se kjo marrëveshje do të zbatohet edhe në vitet në vijim. Ndërkaq, ajo foli edhe për projektin e Javës së Shëndetësisë Kosovaro-Turke e cila do të zhvillohet në muajin mars të vitit të ardhsëm, duke bërë të ditur se në vitin 2016, 27 mjekë të Turqisë kanë realizuar 122 operacione së bashku me homologët e tyre kosovarë.

Pas fjalimeve pjesëmarrësit vizituan dhe panë nga afër punimet e filluara në Njësinë e Kujdesit Intensiv.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu