Tirana zyrtare me plan për kujdes më të madh ndaj shqiptarëve në rajon! Mexhiti: VMRO-ja nuk është si ajo e dikurshmja

Qeveria e re është një fillim i ri për Maqedoninë, për shkak se VMRO-DPMNE-ja e tanishme nuk është peng i hipotekave të së kaluarës, ndërsa ndodhi edhe ndryshimi i shumëpritur që solli krijimi i qeverisë pa BDI-në, që për 22 vjet kishte monopolizuar politikën shqiptare, gjersa partitë maqedonase ndryshoheshin vazhdimisht, tha zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në Konferencën e Ambasadorëve në Tiranë, të organizuar nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Republikës së Shqipërisë.

“Mendoj që tash është një VMRO krejt tjetër, është një fillim i ri. Ne aty jemi si përfaqësues të shqiptarëve, legjitimë, përfaqësojmë shqiptarët mirëpo japim kontribut edhe në orientimin e shtetit, pra mbetet në top prioritetet orientimi proeuropian i shtetit, mirëpo ne marrim barrën aq sa na takon si shqiptarë, sepse për të bërë ndryshimet kushtetuese duhet të ketë 2/3-tën e votave në parlament”, tha zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe politikanë shqiptarë nga vendet e rajonit, si dhe Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, si nikoqir i ngjarjes. Ai duke folur për marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me shqiptarët në rajon, tha se Tirana nuk ndërhyn në çështjet dhe dialogun e brendshëm të shqiptarëve kudo ku ata janë, por përpiqet të angazhohet dhe të flasë së bashku, siç u shpreh, me motrat dhe vëllezërit, për një çështje që është shumë e rëndësishme – integrimi euroatlantik.

“Besoj se të gjitha forcat politike shqiptare kudo ku ato janë, kanë qenë promotorët e zhvillimit dhe zhvendosjes të shoqërive, të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Kosovës apo të Serbisë jugore drejt familjet europiane. Në asnjë moment ne, të paktën kjo Qeveri, nuk do të marrë pjesë dhe nuk do të ndërhyjë në debatet e brendshme politike, nuk do t’u tregojë shqiptarëve të Kosovës apo të Maqedonisë së Veriut për kë të votojnë apo si të votojnë, po do t’u kërkojë të gjithëve që të vazhdojnë të angazhohen dhe të mbajnë vendet e tyre, shoqëritë e tyre në realitetet ku janë, drejt BE-së”, deklaroi Igli Hasani – ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë.

Shefi i diplomacisë shqiptare gjatë diskutimit në panel tregoi se Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka filluar një projekt, të cilin e quajti serioz, për të krijuar një departament që do të merrej ekskluzivisht me shqiptarët në rajon, e që do të angazhohej për të gjitha çështjet që i prekin shqiptarët, jo vetëm politikisht, por edhe në çështjet e arsimit, shëndetësisë, kulturës e të tjera. Hasani foli edhe për një rritje të angazhimit të diplomatëve shqiptarë në vendet e rajonit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu