Arrest shtëpiak për ish-ministrat e ekonomisë, Bekim Neziri dhe Valon Saraçini, ndërsa për ish-drejtorin e Agjencisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ministri aktual pa resor, Shaban Saliu, masë paraburgimi efektiv prej 30 ditësh.
Këto janë pjesë e masave për 19 personat e ri të përfshirë në hetimin për zjarrin në diskotekën Puls në Koçan. Përveç Saliut, paraburgim efektiv kanë marrë edhe tre persona të tjerë, por Prokuroria nuk bën të ditur emrat e tyre dhe as funksionet që kanë kryer.
Përveç Saraçinit dhe Nezirit, në arrest shtëpiak janë edhe katër persona të tjerë, ndërsa tetë të tjerëve u është caktuar masa e kujdesit. Në hetim është përfshirë edhe ambasadori aktual i Maqedonisë në Norvegji, Driton Kuqi, i cili është ish-ministër i Ekonomisë.
Pas zgjerimit të hetimeve nga prokuroria, numri i të dyshuarve për zjarrin përfshin 52 persona fizikë dhe tre persona juridikë.