Tramp thuajse barazon Klintonin para debatit të parë

Avantazhi i Klintonit kohët e fundit po mbahet me një fije peri. Nga deklasimi i pritur që do t’i bënte Trampit, kampanja e saj tani po bën llogari për të ruajtur me çdo kusht Pensilvaninë e Virxhininë, shtete që i japin fitoren

Situata e garës sot. Para dy javësh kur kemi analizuar për herë të fundit gjendjen e garës Klinton udhëhiqte ndaj Trampit me rreth 3%. Një muaj më parë kjo diferencë kishte qenë +6% në favor të Klintonit. Ky trend i afrimit të mëtejshëm ka vazhduar edhe dy javët e kaluara, aq sa avantazhi i Klintonit është reduktuar në nën 3%, brenda margjinave të gabimit të anketave. Të hënën në mbrëmje (gjegjësisht të martën në mëngjes me orën tonë) dy kandidatët do të përballen në debatin e parë presidencial. Ngushtimi i tepërt i rezultatit dhe fakti se pritej një fitore e lehtë e Klintonit ka bërë që kampin demokrat t’a kapë paniku dhe e bën këtë debat tejet të rëndësishëm. Shpresat e kampit Klinton janë se ajo do të arrijë t’i bëjë ndonjë goditje të fortë Trampit në debat dhe të hyjë më e qetë në muajin e fundit para zgjedhjeve.

Kampi Klinton. Ngushtimi i rezultatit përsëri vjen më tepër si pasojë e gabimeve të Klintonit se forcës së Trampit. Së pari ajo i ka hapur telashe vetes kur në një miting ka thënë se gjysma e mbështetësve të Trampit janë një “shportë njerëzish të mjerueshëm” – homofobë, racistë, islamofobë e të tjerë. Nisur nga mbështetja aktuale e Trampit duket se Klinton i ka karakterizuar kështu të paktën 25 milionë amerikanë. Nuk ka munguar reagimi për këtë nënçmim nga të gjitha anët, derisa Klinton është dashur të qartësojë deklaratën dhe të kërkojë falje.

Problemi i dytë i Klintoni ka qenë shpalosja e disa dokumenteve nga Fondacioni Klinton që ajo e udhëheq së bashku me të shoqin Bill Klinton dhe bijën Çelsi. Duket se donatorët e Fondacionit kanë patur qasje më direkte te Hillari kur kjo ka qenë sekretare shteti, gjë që bie ndesh me etikën politike dhe përbën një konflikt interesesh. Klinton nuk ka qenë shumë bindëse kur ka tentuar të sqarojë rolin eventual të do të kishte Fondacioni sikur kjo të bëhet presidente, sepse ka mjaftuar duke thënë se Fondacioni nuk do të pranojë më donacione nga shtete të huaja.

Problem i tretë është bërë gjendja e saj shëndetësore. Në një miting ajo është kollitur shpesh, por ka shpërfillur me shaka pyetjet rreth shëndetit të saj duke thënë se ka alergji kur përmend emrin e Trampit. Por dy ditë më vonë ajo është alivanosur në rrugë, e me këtë i ka dhënë material teorisë së konspiracionit se ka sëmundje të pashërueshme. Më vonë është qartësuar se Klintoni kishte pneumoni. As kjo nuk ka qetësuar opinionin publik, sepse ka ringjallur dyshimet rreth transparencës së saj, i njëjti problem që kishte patur me aferën e-mailave.

Kampanja Tramp. Tramp në ndërkohë nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme dhe në përgjithësi i është përmbajtur imazhit të tij të ri, të ridefinuar me ndërrimin e stafit udhëheqës së kampanjës. Në përgjithësi i është përmbajtur temave të tij, me përjashtim të dy rasteve.

Së pari Tramp ka vizituar qytetin Flint i cili kishte patur probleme me ujin e pijshëm. Gjatë një fjalimi të mbajtur në një kishë kryesisht zezake ai ka tentuar të politizojë situatën, por është ndaluar nga kongregacioni i kishës.

Së dyti ai përsëri ka rihapur aferën rreth vendlindjes së Obamës, paradoksalisht duke tentuar t’a mbyllë atë si çështje. Disa vite më parë Tramp kishte nisur dhe finansuar një teori konspiracioni gjoja se Obama nuk ka lindur në SHBA, nuk ka patur nënshtetësi në lindje dhe me këtë ligjërisht nuk ka patur të drejtë të zgjidhet kryetar. Javën e kaluar Tramp përfundimisht pranoi se Obama ka lindur në SHBA, por ja hodhi fajin Klintonit kinse ka qenë ajo e para që ka filluar konspiracionin, gjatë zgjedhjeve të vitit 2008. Kështu në vend se të mbyllë njëherë e përgjitmonë këtë çështje, që i kushton shumë me votuesit zezakë, ai e ka vënë atë përsëri në rend të ditës.

Anketat sot. Periudhën e kaluar kanë dalur një sërë anketash që e tregonin Trampin përpara në garë. Gjatë javës së kaluar ai i është afruar Klintonit në një pikë, por Klintoni ka rikuperuar disi dy-tre ditët e fundit. Ja mesataret e anketave sipas agregatorëve të njohur:

Modeli Klinton Tramp Diferenca Diferenca 7 shtator
RCP 46.2% 43.7% Klinton +2.5 Klinton +3.3
HuffPost 46.0% 41.7% Klinton +4.3 Klinton +5.4
538 46.9% 45.2% Klinton +1.7 Klinton +2.8
Gjasat – bastoret 72% 28% Klinton +44 Klinton +50

 

Pra Klinton shënon rrënie në të gjitha modelet. Modeli më i besueshëm, 538, i jep avantazh vetëm 1.7 pikë brenda margjinave të gabimit të shumicës së anketave. Statistikisht pra mund të thuhet se gara për momentin është e barabartë.

Anketat me kanditatin e tretë. Më relevante gjithsesi janë modelet ku në kalkulime përfshihet edhe kandidati i tretë, Xhonson. Pasi Xhonson do të marrë vota çdokund, këto anketa duhet të jenë më afër rezultatit përfundimtar. Ja përqindjet sipas tyre:

Modeli Klinton Tramp Xhonson Diferenca
RCP 42.3% 40.1% 8.3% Klinton +2.2
HuffPost 41.9% 39.3% 8.6% Klinton +2.6
538 46.9% 45.2% 6.5% Klinton 1.7

Me përfshirjen e Xhonsonit diferenca e Klintonit ngushtohet edhe më tepër. Pra Xhonson, i cili me këto shifra mund të merr deri 10 milionë vota, vazhdon të dëmtojë më tepër Klintonin se Trampin

Anketat në shtetet kyçe. Pasi presidentin amerikan e zgjedh kolegji elektoral është me rëndësi të shihen shifrat në shtetet kyçe që përfundimisht do të përcaktojnë fituesin. Edhe këtu situata e Klinton po përkeqësohet.

Shteti Diferenca sot Diferenca 7 shtator Diferenca 19 gusht
Florida Tramp +1.0 Klinton +0.8 Klinton +1.8
Ohajo Tramp +1.9 Klinton +0.1 Klinton +1.5
Pensilvania Klinton +3.1 Klinton +3.5 Klinton +4.8
Virxhinia Klinton +4 Klinton +5.4 Klinton +6.4
Nevada Tramp +0.5 Klinton +2.7 Klinton +2.9
Ajova Tramp +2.9 Tramp +1.6 Klinton +1.3

 

Një muaj më parë Klinton udhëhiqte në të gjitha këto shtete. Sot Trampi është në avantazh në katër prej tyre. Me këtë pasqyrë Klinton akoma është në pozicion fitues, por nga strategjia me më tepër mënyra për të arritur 270 elektorët e duhur, strategjia e Klintonit tani është të mbrojë me çdo kusht Pensilvaninë dhe Virxhininë, vijat e fundit të mbrojtjes së saj.

Debati i parë. Siç e do tradita kandidatët presidenicalë do të mbajnë tre debate para zgjedhjeve. I pari do të jetë të hënën në mbrëmje. Ai do të mbahet në Hempsted në shtetin Nju Jork, ndërsa do të moderohet nga Lester Holt i televizionit NBC. Pritet që ky debat të thejë gjithë rekordet e mëparshme dhe të ndiqet nga mbi 100 milionë njerëz.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu