Thuhet se një grua vajti tek profeti Davudi alejhi selam dhe e pyeti si me gjysmë zëri: ”O profet i Zotit! A është Zoti i drejtë apo i padrejtë?!”
Davudi alejhi selam i tha: ”E mjera ti! Ai është drejtësia absolute! Pa më thuaj, ç’të ka ngjarë që e bën këtë pyetje?”
Gruaja iu përgjigj: ”Unë jam grua e ve dhe nënë e tri vajzave jetime. Siguroj bukën e gojës për veten dhe vajzat me pëlhurat që tjerr në tezgjah. Një ditë, u nisa për në treg, për të shitur punimet e mia, të cilat i kisha mbështjellë me një pëlhurë të kuqe. Gjersa isha ulur të marr një frymë nën një pemë, vjen një shpend i madh dhe e rrëmben pëlhurën me gjithë punimet e mia dhe fluturon larg. Kjo që më ndodhi ishte një fatkeqësi e madhe për mua, pasi tani s’kam çfarë tju çoj vajzave të mia për të ngrënë. Prandaj erdha të qaj hallin tim tek ti.”
Ndërkohë që Davudi alejhi selam po orvatej ta qetësojë, troket dera dhe hyjnë dhjetë tregtarë. Secili prej tyre mbante në dorë njëqind dinar ari, të cilat ia zgjatën Dautit alejhi selam duke i thënë:
”Jepja dikujt që i meriton o i Derguari i Zotit !”
Davudi aejhi selam i pyet: ”Po ç’është kjo? Çfarë u detyroi ta bëni këtë akt bamirësie?”
Ata i thanë: ”O i Dërguar i Zotit! Ishim në lundrim dhe për shkak të një stuhie, anijes iu shkaktua një vrimë, nga e cila filloi të hyjë ujë. Në një moment tepër kritik, vjen një shpend i fuqishëm dhe na hedh një pëlhurë me punime dore, me të cilat ne bllokuam të çarën e anijes. Për ne, kjo ishte direkt ndihma e Zotit të lartësuar, për të na shpëtuar jetën. Që atëhere, vendosëm që secili prej nesh do të japë nga njëqind dinar ari si lëmoshë. Prandaj i sollëm që t’ia japësh kujt të duash!”
Davudi alejhi selam duke buzëqeshur, iu kthye gruas dhe i tha:
”Një Zot që bën biznes dhe investon pasurinë tënde në tokë e në det, a mund të jetë veçse i drejtë dhe i dhembshur?!”
ETIKA E TREGIMIT:
Gjithmonë të kemi mendim të mirë për Zotin tonë, se padyshim që Ai na e donë gjithmonë të mirën, nëse jemi te bindur ndaj Tij!