Tregimi mbi mbretin i cili vendosi të shpërblejë me një kurorë floriri një nga qytetarët që ka dhënë kontributin më të madh në mbretërinë e tij

Një ditë, mbretit i lindi një ide: Të shpërblejë me një kurorë floriri një nga qytetarët që ka dhënë kontributin më të madh në mbretërinë e tij. Për këtë, ai mblodhi këshilltarët dhe u kërkoi që ti sjellin një kurorë floriri të stolisur me xhevahire.

Disa ditë më vonë, kurora ishte gati. Mbreti nxorri tellallët e tij për të njoftuar shpërblimin e mbretit dhe hapjen e garës për kontributin më të madh në mbarë mbretërinë.

Pas një përzgjedhje të drejtë nga komisioni i vlerësimit, tre ishin kontribuesit më të mëdhenj në mbarë mbretërinë. Të tre u sollën para mbretit për të paraqitur punimet e tyre, njëri pas tjetrit. Ishte mbreti ai që do të vendoste kujt i përket kurora e artë.

I pari ishte një piktor, i cili me mjeshtëri kishte pikturuar disa tablo mbresëlënëse. Pasi i ekspozoi para mbretit dhe të gjithë të pranishmëve, ai vajti dhe u ul tek vendi i tij. Vetë mbreti dhe gjithë të tjerët u mrekulluan nga këto vepra.

I dyti ishte një shkencëtar që mbante në duar libra shkence. Ai doli para mbretit dhe i foli mbi eksperimentet e zhvilluara dhe rezultatet më të fundit të tyre. Mbreti dhe të pranishmit e duartrokitën dhe e përgëzuan.
I treti, që qëndrote përbri dy të parëve, u ngrit dhe u recitoi të pranishmëve disa vargje të mrekullueshme, të cilat prekën zemrat e të gjithëve. Pastaj vajti dhe zuri vend pranë dy të parëve.

Të gjithë prisnin vlerësimin e mbretit, i cili i kishte fiksuar sytë tek një zonjë e moshuar, e cila qëndronte ulur pranë tre burrave të përzgjedhur. Ai e pyeti:”Po ju zonjë e nderuar, çfarë keni për të na treguar? Cili është kontributi juaj?”

Zonja, e zënë ngushtë, pasi nuk e priste këtë, u përgjigj:”Lartmadhëria juaj, unë nuk kam ardhur të prezantoj ndonjë gjë. Unë jam nëna e këtyre tre burrave dhe erdha të shoh kush prej tyre do e fitojë kurorën e artë.
Mbreti brofi nga froni i tij dhe deklaroi:“Mbaroi gara. Ia vendosni kurorën e artë kësaj nëne, e cila ka edukuar burra të tillë. Ajo e meriton kurorën!

ETIKA E TREGIMIT:

Nuk ka profesion dhe mision më të fisëm sesa ai i edukimit të njeriut. Të gjithë kafshët, arinjtë, luanët, zogjtë, peshqit lindin të prirur me një kod sjellje të caktuar, ndërkohë që njeriu lind si një lëndë e parë, tabula rasa, prirur për të arritur në gradat më të larta të njerëzores, ose gradat më të ulëta të kafshërores. Artist, prind dhe shoqëri e mirë është ajo që e merr këtë lëndë të parë, këtë tabula rasa dhe i dhuron njerëzimit një tablo të mrekullueshme, një njeri të vërtetë.

Ata prindër të pasur dhe intelektualë që edukojnë fëmijë të pajisur me vlerat sublime, realisht janë të respektuar dhe kolosë. Por, akoma më të mrekullueshëm janë ata prindër të varfër, të cilët pavarësisht jetesës së vështirë, i dhurojnë njerëzimit fëmijë të mirëedukuar, të mrekullueshëm dhe të suksesshëm. Është magjike kur nga shtëpia e një pastruesi rrugës del një mjek i suksesshëm, kur nga shtëpia e një marangozi del një inxhinier i aftë, nga shtëpia e një bujku del një politikan i zoti dhe i ndershëm, nga shtëpia e një hidrauliku del një gjykatës i drejtë.

Çdo urë që ndërton inxhinieri, e ka ndërtuar më parë babai dhe nëna e tij. Çdo të sëmurë që mjekon mjeku, e ka mjekuar më parë babai dhe nëna e tij. Çdo fëmijë të mirë që edukon vajza apo djali, e kanë edukuar më parë prindërit e tij. Çdo prind edukues është një hero, pavarësisht se nuk mban mbi kokë kurorën e artë!

Nga: Elmaz Fida


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu